Nga Fatos Tarifa/
Déjà vu all over again
Përsëri dy ditë më parë dëgjuam breshëri molotovësh, pamë zjarr, dhunë, përleshje me forcat e rendit dhe të plagosur në Bulevardin e Madh të Tiranës dhe në rrethinat e Parlamentit. Për 35 vite me radhë, pra për më shumë se një të tretën e një shekulli, në krye të protestave të dhunshme dhe frymëzues i tyre ka qenë dhe është i njëjti njeri―Sali Berisha.
Berisha është epitoma e të gjitha ngjarjeve të dhunshme në këtë vend.
Për të mbajtur pushtetin e vet, ai i vuri flakën Shqipërisë më 1997. Dhe është gati ta bëjë përsëri këtë për ta rimarrë pushtetin në moshën 82 vjeç—20 vjet më i plakur nga ç’ishte gjyshi im kur ndërroi jetë.
Pasi e humbi pushtetin atë vit, u përpoq në vit më vonë, më 1998, të rikthehej në pushtet me dhunë. Dështoi. Këtë përpiqet të bëjë përsëri sot.
Për të mbajtur pushtetin, pasi e rimori atë më 2005, Berisha urdhëroi vrasjen e qytetarëve në bulevard më 21 janar 2011.
Pasi humbi në zgjedhjet e vitit 2013, Berisha është përpjekur me dhjetëra herë të shkaktojë trazira të dhunshme me shpresë se përmes dhunës mund të rikthehet sërish në pushtet, edhe pse historia e këtij vendi i ka larë me kohë hesapet me të.
Berisha është një arsonist, një piromaniak, në kuptimin real të fjalës, siç mund ta gjeni të shpjeguar këtë term në çdo fjalor—një individ që ka një “impuls të pakontrollueshëm për të ndezur zjarre” dhe që “ngazëllehet kur ndez dhe sheh zjarre”—një person që vuan nga piromania. Këtë nuk është sot hera e parë që e them.
Si sociolog, kam qenë gjithnjë i interesuar të kuptoj shkaqet më të thella të sjelljes së dhunshme në shoqëri, sidomos nga individë të veshur me pushtet, ose politikisht të fuqishëm. Kjo dukuri gjerësisht e studiuar ka qenë një subjekt qendror për disa nga mendimtarët më të njohur në shkencat mbi shoqërinë.
Max Weber analizoi mjeshtërisht marrëdhënien mes autoritetit, legjitimitetit dhe përdorimit të dhunës, duke argumentuar rolin e shtetit në monopolin e forcës dhe mënyrën se si drejtuesit e justifikojnë dhunën në emër të ruajtjes së rendit.
Hannah Arendt ofroi një dallim konceptual mes pushtetit dhe dhunës, duke argumentuar se dhuna, si rregull, ushtrohet kur autoriteti humbet legjitimitetin. Analiza e saj mbi totalitarizmin është esenciale për të kuptuar përdorimin e dhunës si një mjet politik nga drejtuesit autoritaristë.
Michel Foucault eksploroi mekanizmat përmes të cilëve pushteti disiplinon, survejon dhe mban nën kontroll qytetarët, duke dëshmuar se si strukturat e autoritetit e normalizojnë dominimin dhe dhunën institucionale.
Nga perspektiva e psikologjisë forensike, Christopher Webster dhe Andrew Welsh kanë argumentuar rolin e karakteristikave të personalitetit dhe të proceseve kognitive në sjelljen agresive të individëve në pozita pushteti.
Adrian Raine, një psikolog dhe kriminolog britanik, në librin e tij të njohur The Anatomy of Violence (2013), ka studiuar predispozitat biologjike të sjelljes së dhunshme, duke argumentuar se faktorët biologjikë ndërveprojnë me mjedisin shoqëror për të prodhuar sjellje agresive, përfshirë edhe sjelljen e individëve në pushtet.
Dhuna është, pra, një dukuri shoqërore komplekse, që nuk mund të shpjegohet me një faktor vetëm individual apo shoqëror dhe as me një situatë të veçantë. Të kuptuarit e dhunës në shoqëri kërkon një qasje ekumenike, shumëdisiplinare. Ajo ka të bëjë me faktorë biologjikë (roli i trurit në kontrollin e impulsive dhe në vendimmarrje, si dhe predispozitat gjenetike që mund të ndikojnë në prirjet agresive); faktorë psikologjikë (tipare të personalitetit, të tilla si impulsiviteti, mungesa e empatisë ose prirjet antisociale, gjendja e shëndetit mendor dhe sjellja e mësuar nga përvojat e hershme të fëmijërisë; faktorë shoqërorë (mjedisi familjar, nëse ai ka qenë abuzues, neglizhues, i dhunshëm, streset socio-ekonomikë, si dhe normat kulturore që mund ta tolerojnë e ta rutinizojnë sjelljen agresive); faktorë situacionalë (kur autoriteti dhe zbatimi i ligjit janë të dobët, duke mundësuar që sjellja e dhunshme të përshkallëzohet).
Retorika e dhunshme, një koncept i rëndësishëm në sociologjinë politike, në shkencën politike dhe në studimet mbi komunikimin, e cila ka të bëjë me gjuhën, simbolet dhe diskursin që nxit, legjitimon ose normalizon dhunën, është një tipar i kahershëm i Sali Berishës. Kjo retorikë ka nxitur e vazhdon të nxitë e të justifikojë sjellje të dhunshme në radhët e përkrahësve të tij, qofshin këta qytetarë të thjeshtë apo eksponentë të partisë së tij, madje edhe anëtarë të parlamentit nga ajo parti. Në rastin e Berishës, anatomia e retorikës së dhunshme të tij mund të shpjegohet, në këtë apo atë masë, me të gjithë ata faktorë—biologjikë, psikologjikë, shoqërorë dhe situacionalë—që përmenda më sipër.
Retorika e dhunshme e Berishës nga perspektiva e Psikanalizës
Më poshtë përpiqem t’i gjej një shpjegim racional retorikës së dhunshme politike të Sali Berishës në teorinë psikanalitike, mbështetur në idetë e katër prej përfaqësuesve më të shquar të kësaj shkolle—Sigmunt Freud, Otto Gross, Wilhelm Reich dhe Erich Fromm.
Kjo retorikë dhe kjo sjellje, sipas psikanalizës, duhen parë të lidhura me të kaluarën autoritariste të Shqipërisë komuniste dhe me vetë karrierën e Berishës në atë sistem.
Kur në dhjetor të vitit 1990 Shqipëria nisi ndryshimin e kursit të saj politik me krijimin e së parës parti politike opozitare dhe një sistemi politik pluralist, ky ndryshim i papritur e detyroi Sali Berishën, i cili papritur u gjen në krye të opozitës, t’u përshtatej shpejt rrethanave të reja. Ai ndërroi kostumin politik, por stili retorik i tij ruajti tiparet e sistemit të vjetër—i zjarrtë, i dhunshëm dhe tepër polarizues, sipas logjikës së vjetër: Ne dhe Ata, ne kundër atyre.
Retorika e Berishës ishte qysh nga fillimi—dhe ka mbetur edhe sot—një retorikë hibride, e ushqyer dhe nën ndikimin e tre faktorëve kryesorë: (a) tradita autoritariste e Shqipërisë socialiste, (b) e kaluara komuniste e vetë Berishës si një anëtar aktiv i Partisë së Punës dhe (c) nevoja e ngutshme por t’u “transformuar” nga një komunist, në një demokrat në mënyrë që të merrte pushtetin dhe ta mbante atë duke mobilizuar një mbështetje të gjerë popullore.
Këto rrethana bënë që retorika politike e Berishës të artikulohej dje—siç vazhdon të ndodhë edhe sot—në tri “gjuhë”, që e bëjnë atë një retorikë eklektike: gjuha e vjetër komuniste (konfrontuese), gjuha e re demokratike (një terminologji e re, si pluralizëm, demokraci, të drejtat e njeriut) dhe një gjuhë ideologjike e politike që varion mes së Majtës dhe të Djathtës, sipas rrethanave, kontekstit dhe interesave imediate.
Në çdo rast, retorika politike e Berishës mbetet e dhunshme dhe kjo shpjegohet me këta faktorë:
Së pari, ajo është vazhdimësi e një tradite autoritariste, nga e cila Berisha nuk mundi të shkëputej kurrë. Si e tillë, kjo retorikë, siç e gjejmë thuajse në të gjitha fjalimet e Berishës, shpesh pasqyron stilin konfrontues e militant të Enver Hoxhës dhe të kuadrove të tjerë të periudhës socialiste.
Së dyti, retorika e dhunshme e Berishës synonte mbijetesën politike të tij në një sistem demokratik të brishtë, pasi ajo mund të mobilizonte një farë mbështetje popullore dhe të delegjitimonte rivalët e tij politikë.
Së treti, kjo retorikë e dhunshme e polarizuese i ka shërbyer Berishës edhe si një narrativë për “transformimin” e tij personal, pasi, duke i paraqitur kundërshtarët e vet në terma ekstremë, ai synonte të krijonte imazhin e tij si lideri që e shkëputi Shqipërinë nga socializmi shtetëror, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta e organike të mëparshme me atë sistem.
Të gjitha sa thashë më sipër gjejnë një shpjegim racional në teorinë e Psikanalizës. Më poshtë përpiqem ta ilustroj këtë argument me idetë e disa prej përfaqësuesve më të shquar të kësaj shkolle.
Sigmunt Freud e shihte retorikën e dhunshme në politikë si shprehje e agresionit të sublimuar, si kanalizim i instinkteve primordialë të dhunshëm në forma shoqërisht të pranueshme, siç janë fjalimet apo denoncimet politike. Sipas tij, retorika e dhunshme shpesh është një projektim i konflikteve të brendshme të një individi te kundërshtarët e vet.
Në rastin e Berishës, Freud do të thoshte se gjuha e tij e ashpër e konfliktuale është një farë eksternalizimi apo projektimi i tensioneve të pazgjidhura nga e kaluara e tij komuniste. Freud argumentoi se njerëzit përsërisin modele nga jeta e tyre e hershme dhe, nga ky këndvështrim, stili konfrontues i Berishës duket se pasqyron diskursin autoritarist të mjedisit shoqëror në të cilin ai u rrit, tashmë në një kontekst demokratik.
Otto Gross argumentoi se retorika e dhunshme në politikë mund të kuptohet si simptomë e shtypjes dhe si një formë e shtrembëruar rebelimi kundër saj. Ai argumentoi se sistemet autoritaristë prodhojnë personalitete neurotikë që lëkunden mes nënshtrimit dhe dominimit. Nga ky këndvështrim, retorika e dhunshme e Berishës mund të konsiderohet si produkt i kësaj patologjie të formuar nga e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe e vetë Berishës.
Gross besonte se shëndeti i vërtetë psikologjik kërkon çlirimin e prirjeve instinktive nga kufizimet autoritariste. Sot ai do të thoshte se gjuha e dhunshme e Berishës mund të konsiderohet si një çlirim i dështuar, pasi ajo karakterizohet sërish nga dhuna dhe dominimi. Ashtu si Freud, Gross do të thoshte se retorika e Berishës rezonon ende te një masë jo e vogël e shqiptarëve pasi ajo pasqyron një traumë psikologjike të pazgjidhur për mjaft prej tyre.
Wilhelm Reich solli konceptin e “armaturës së karakterit” (character armor), si një strategji për t’u mbrojtur psikologjikisht e për të përballuar shtypjen. Ai do të thoshte sot se në sistemin autoritarist të socializmit shtetëror, Berisha mund të ketë internalizuar modele të ngurtë e konfrontues të të folurit si mekanizma mbrojtës, ndaj edhe retorika e tij e dhunshme nga viti 1990 deri më sot mund të shihet si një manifestim i këtij personaliteti të “blinduar”.
Në veprën e tij të njohur Psikologjia masive e fashizmit, Reich argumentoi se liderët autoritaristë mobilizojnë ndjekësit e tyre përmes një gjuhë emocionale e shpesh herë të dhunshme. Retorika politike e Berishës i ngjason këtij modeli, pasi ajo synon të ushqejë emocione që i orientojnë ndjekësit e tij fanatikë në veprime të dhunshme ndaj institucioneve dhe forcave të rendit.
Erich Fromm, në librin e tij Arratisja nga liria, argumentoi se individët shpesh kanë frikë nga liria e vërtetë sepse ajo sjell pasiguri dhe përgjegjësi. Në shoqëritë që dalin nga një e kaluar autoritariste, si Shqipëria pas vitit 1990, liderët e rinj mund të rikthehen te retorika autoritare si një mënyrë për të ofruar siguri psikologjike. Fromm e përshkroi personalitetin autoritarist si një individ që njëkohësisht i nënshtrohet autoritetit dhe dominon mbi të tjerët.
Fromm do të thoshte sot se e kaluara komuniste e Berishës ka ushqyer tek ai pikërisht këtë dualitet, dikur iu nënshtruar Partisë në të kaluarën dhe duke synuar të dominojë sot partinë e tij dhe kundërshtarët e vet politikë përmes një retorike të ashpër e të dhunshme. Fromm vuri dukje, gjithashtu, dallimet mes prirjeve afirmuese të jetës (biofili) dhe atyre shkatërruese (nekrofili), çka mundëson që retorika e dhunshme e Berishës të kuptohet se reflekton një orientim nekrofilik, të kapurit pas kontrollit, dhunës dhe shkatërrimit, në vend të hapjes, rritjes e zhvillimit.
Me kohë kam vënë në dukje se, me retorikën dhe demagogjinë e tij dhe me pushtetin që mori në fillim të viteve 1990, Berisha krijoi për veten kultin e një demokrati, të një lideri pro-amerikan dhe të një patrioti të pakompromentueshëm. Ky kult është provuar se ishte i rremë. Berisha nuk është—dhe as ka qenë ndonjëherë—as një demokrat i vërtetë, as një pro-amerikan i vërtetë, as një patriot i vërtetë.
Berisha nuk la gjë pa bërë që brenda e jashtë vendit që të besohej se ai ishte dhe mbetet “heroi” i demokracisë shqiptare. Shumë njerëz naivë e besuan këtë dhe ka ende nga ata që e shohin Berishën si një “hero”. Në fakt, Berisha nuk ka asgjë të përbashkët me heronjtë e vërtetë; ai, përkundrazi, është bërë sot antiheroi i kohës sonë.
Është e çuditshme se si Berisha, nga një individ thuajse i panjohur për publikun deri në fundin e viteve 1980, përveçse si një mjek—dhe si sekretar i organizatës së partisë (komuniste) të punës në spitalin ku ushtronte profesionin e tij—u shfaq në skenën e politikës shqiptare krejt papritur, me imazhin e një intelektuali disident antikomunist (pa qenë as edhe një ditë të vetme i tillë) dhe pretendoi se themeloi të parën parti opozitare antikomuniste në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990. Në fakt, ishin të tjerë individë ata që e organizuan dhe e drejtuan lëvizjen studentore të dhjetorit 1990, e cila çoi në galvanizimin e skenës politike shqiptare, në krijimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, në zgjedhjet e para demokratike dhe në rënien e sistemit socialist.
Berisha ishte një free rider. Ai diti të shfrytëzojë përpjekjet e të tjerëve pa rrezikuar vetë asgjë, për të fituar gjithçka për vete. Humbi në zgjedhjet parlamentare të vitit 1991, por fitoi në zgjedhjet e një viti më vonë dhe u bë presidenti i parë i Shqipërisë postsocialiste.
Në Poloni, e para qeveri postsocialiste, e krijuar në vitin 1989, zgjodhi në krye të saj një individ si Mazoviecki, një prej figurave qendrore të lëvizjes opozitare “Solidarnost”, i burgosur nga regjimi i Jaruzelskit në fillim të viteve 1980, ndërsa president i parë i atij vendi u bë udhëheqësi kryesor i “Solidarnostit”, Les Valesa, edhe ky i burgosur në të njëjtën kohë dhe, në liri, shumë herë i papunë nën atë regjim.
Në Çekosllovaki, presidenti i parë pas rënies së socializmit shtetëror në atë vend u zgjodh Vaslav Havel, një dramaturg disident dhe një aktivist i njohur për të drejtat e njeriut, i burgosur edhe ky disa herë nën atë sistem. Më vonë, pas ndarjes së Çekosllovakisë në dy shtete më vete përmes një marrëveshjeje paqësore që u konsiderua si një velvet divorce, Havel u zgjodh presidenti i parë i Republikës Çeke.
Në Bullgari, gjithashtu, njeriu që u bë presidenti i parë postsocialist i atij vendi, Zhelyu Zhelev, kishte qenë më parë një disident.
Po Berisha? Nga mbiu ai?! Ai kurrë nuk kishte qenë një disident në periudhën e diktaturës së proletariatit. Përkundrazi, Berisha ishte dhe mbeti deri në përmbysjen e sistemit të vjetër një komunist parimor, sektar, militant dhe karrierist, me fjalë të tjera, shëmbëlltyra më e shëmtuar e një komunisti bolshevik në karakter, në mentalitet dhe në sjellje.
Berisha nuk e pa kurrë qelinë e burgut të diktaturës, as edhe portën e rajonit të policisë, dhe nuk provoi asgjë nga vuajtjet që përjetuan në Gulagun shqiptar mijëra kundërshtarë të regjimit politik në Shqipëri. Përkundrazi, Berisha hynte e dilte në dyert e bllokut famëkeq të udhëheqësve komunistë kryesorë dhe u bë një “mik” servil i fëmijëve të tyre.
Nëse Berishës mund t’i njihet ndonjë meritë e veçantë në periudhën që i parapriu lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 dhe fillimit të tranzicionit politik në Shqipëri, kjo meritë do të ishte nuhatja e tij për të ndier së largu rrezikun që vjen, prénë që afrohet dhe—në rastin e tij—mundësinë që ofron një rrethanë e re dhe një mjedis i ri politik për të realizuar synimet e veta.
Prognozë retrospektive: Berisha si histori e së shkuarës
Berisha arriti të bëhej një ndër ata tre individë që kanë dominuar historinë politike të shqiptarëve qysh nga krijimi i shtetit tonë të pavarur më 1912. I pari ishte Ahmet Zogu (1924-1939), si kryeministër, si president dhe, më pas, si një mbret i vetëshpallur. Pas tij ishte Enver Hoxha (1944-1985), kreu më i lartë i Partisë (komuniste) të Punës dhe de facto kreu i të gjitha pushteteve në sistemin e socializmit shtetëror, i ashtuquajtur “demokraci popullore”. Fill pas tij erdhi Sali Berisha (1991-2013), si president e më pas si kryeministër i vendit dhe, për periudhën më të gjatë të kohës, si kreu i opozitës në Shqipërinë postsocialiste.
I pari, Zogu, ishte dhe mbetet një figurë shumë kundërthënëse. Ai e uzurpoi pushtetin me dhunë, i ndihmuar nga forcat jugosllave dhe rusët e bardhë, asgjësoi kundërshtarët politikë kryesorë të tij, burgosi shumë të tjerë dhe, më në fund, si mbret, e braktisi vendin në prag të pushtimit fashist italian, në vend që të organizonte e të drejtonte rezistencën e armatosur të popullit të vet kundër atij pushtimi.
Hoxha sundoi me dorë të hekurt për dyzet vite me radhë, por, siç kam argumentuar në studimin tim “Kërkimi i legjitimitetit dhe venitja e utopisë”, ky njeri dhe sistemi politik që ai krijoi dhe drejtoi me metoda autoritariste kishin, për një farë kohe—pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri aty nga fillimi i viteve 1960—një farë legjitimiteti që u venit dhe humbi krejtësisht më pas për arsye politike, ekonomike dhe ideologjike, të cilat i kam shpjeguar hollësisht në atë studim. Sot, nga një distancë e mjaftueshme në kohë për të gjykuar e vlerësuar me ftohtësi, figura e Enver Hoxhës vazhdon të jetë e pranishme, provokuese, kundërthënëse dhe polarizuese në narrativën postsocialiste dhe në debatin publik e atë akademik që zhvillohet në vendin tonë.
Kur bëhet fjalë për Berishën, ky njeri, në gjykimin tim, simbolizon tiparet më të këqija karakteriale të mbretit Zog dhe të diktatorit komunist Enver Hoxha. Këto tipare të tij i kam përmbledhur shkurtimisht në një ese botuar 13 vite më parë, titulluar “Prognozë retrospektive: Berisha në historinë e së shkuarës”.
Në atë ese kam argumentuar se fakti që një “prognozë” retrospektive dhe ahistorike nuk mund të verifikohet empirikisht nuk do të thotë se një prognozë e tillë nuk mund të bëhet. Në atë kohë kam parashtruar katër propozime, (ose hipoteza) lidhur me modelin e liderit politik që përfaqëson z. Berisha, të cilat, edhe pse nuk mund t’i provoj dot, i konsideroja atëherë, siç i konsideroj edhe sot, të vlefshme nga një perspektivë logjike e historike.
1. Sikur Berisha të kishte hyrë në historinë politike të shqiptarëve fill para, gjatë, ose pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shëmbëlltyra politike e tij do të kish qenë Esad Pashë Toptani (jo Ismail Qemali).
2. Sikur Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1920 ose 1930, ai, njëlloj si Ahmet Zogu, do të ishte vetëshpallur “mbret i shqiptarëve”. Dhe, njëlloj si Toptani e Zogu, për të marrë pushtetin dhe për ta ruajtur atë, do t’u kishte falur shteteve fqinjë më shumë se sa Shkodrën, Vermoshin, Shën Naumin dhe pjesë të hapësirës shqiptare në Detin Jon, dhe do të ishte sjellë po njëlloj si ata ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke i asgjësuar ata.
3. Sikur Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1944-45, ai do të ishte bërë një diktator edhe më brutal se sa Enver Hoxha.
4. Sikur Berisha të kishte munguar në këto tri dekada e gjysmë të tranzicionit postsocialist në Shqipëri, sot nuk do të ishim në këtë pikë ku jemi―dhe, ndoshta, as do të kishim në krye të qeverisë një kryeministër si ky që kemi sot.
Pa Berishën dhe shkatërrimet e tij, Shqipëria do të kishte bërë një progres shumë më të madh. Politika e Berishës, siç kam shkruar edhe 20 vite më parë, kur ai ishte kryeministër, i ngjante më shumë autoritarizmit të Hugo Çavezit (edhe pse pa naftën e tij), sesa ishte një politikë demokratike e largpamëse, si ajo që i ka bërë shumë vende të Europës Lindore pjesë të Bashkimit Europian.
Pyes veten: Ishte fati ynë apo zgjedhja jonë që e polli Sali Berishën dhe e ngriti atë në fronin më të lartë të shtetit më 1992?
Nëse ishte thjesht fati, ky paskësh qenë një fat shumë i keq. Por, unë nuk besoj në fat; në rastësi, po. Sidoqoftë, rasti Berisha nuk mund të shpjegohet me parimin hegelian të filozofisë së historisë, se domosdoshmëria e çan rrugën e vet përmes rastësisë. Sepse hyrja e një njeriu si Berisha në politikën shqiptare dhe ardhja e tij në krye të shtetit mund të ishin çdo gjë, por jo një domosdoshmëri historike. Madje as mund të shpjegohet me konceptin kantian të “domosdoshmërisë empirikisht të shkaktuar”, për të cilin fliste Kanti në Kritikën e arsyes së kulluar.
Nëse ishte zgjedhja jonë, kjo ka qenë zgjedhja më e keqe, më e gabuar, më iracionale që një popull mund të bëjë. Zgjedhjet që bëjmë, sidoqoftë, rrallë herë janë fatale. Të gabuara, po. Të dëmshme, gjithashtu. Tragjike, disa herë po. Por rrallë herë janë fatale. Sepse, pasi kemi nxjerrë mësime prej zgjedhjeve të gabuara të së shkuarës, mund të heqim dorë e të bëjmë zgjedhje të reja, më të informuara, më të arsyeshme, më të dobishme.
Këtë bëmë kur Berishën e rrëzuam dy herë nga pushteti—më 1997 dhe 2013. Në këto trembëdhjetë vitet e fundit, Berisha është përpjekur dhe vazhdon të përpiqet për t’u rikthyer në pushtet me çdo mënyrë e me çdo mjet, me demagogji dhe dhunë, por ka dështuar ta arrijë këtë me të vetmen rrugë legjitime—zgjedhjet e lira demokratike.
Berisha humbi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013; humbi përsëri në zgjedhjet e vitit 2017; humbi edhe në zgjedhjet e vitit 2021 dhe përsëri humbi në zgjedhjet vitit të shkuar. Ai, siç e kam cilësuar me kohë, meriton të quhet “humbësi i madh”.
Shumica e shqiptarëve duket se kanë nxjerrë mësime nga zgjedhjet e gabuara të së kaluarës dhe, më në fund, e kanë ndarë mendjen: Berisha është kohë e shkuar! Berisha është kthim pas! Berisha është pa të ardhme. Unë jam shprehur me kohë se Berisha, në fakt, është një fatkeqësi kombëtare.
Me këtë nuk dua të them se zgjedhjet e viteve të fundit kanë prodhuar qeverisjen më të mirë që duan shqiptarët dhe për të cilën ka nevojë vendi për t’u bërë pjesë e BE-së. Shkalla e lartë e korrupsionit, i cili është bërë endemik dhe ka prekur çdo nivel të organizimit shtetëror, përhapja e gjerë e krimit të organizuar dhe një parlament, cilësia e të cilit, pas çdo legjislature, ka ardhur duke rënë, në atë shkallë sa sot në të gjen lloj-lloj klounësh cirku, e kanë bërë shumë të vështirë jetën e qytetarëve dhe të pashpresë të ardhmen për shumë prej tyre.
Unë dua të besoj, siç besojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve, se prania e Berishës në politikë si kreu i opozitës dhe dhuna si gjuhë, si mentalitet dhe si metodë e tij, e “legjitimojnë” qeverisjen e keqe të socialistëve në kushtet e mungesës së një opozite të vërtetë demokratike. Edhe për këtë arsye, veç dhunës që ai shkakton, Berisha vazhdon të jetë një e keqe e madhe për këtë vend.
Me largimin e tij le të shpresojmë se do u vijë fundi edhe zjarreve e dhunës në rrugët e Tiranës dhe do të shohim një qeveri—cilëndo qeveri—që do të jetë më e përgjegjshme se kjo që kemi sot dhe e më e vendosur për t’i luftuar korrupsionin dhe krimin.




















