Këshilli i Ministrave vendosi këtë javë heqjen e masës së përkohshme të bllokimit të aplikacionit TikTok.

Kryeministri Edi Rama, në episodin e pestë të sezonit të gjashtë të podkastit “Flasim”, sqaroi se vendimi nuk është tërheqje apo dorëzim, por rezultat i një procesi serioz rishikimi dhe i punës për adresimin e shqetësimeve lidhur me sigurinë dhe filtrat e përmbajtjes.

“Është një vendim që e pata lajmëruar kur pata shpjeguar në më shumë se një rast, jo vetëm këtu, por edhe në mediat ndërkombëtare, që për befasinë tonë të këndshme, pozitive, TikTok ishte shumë i hapur, ishte shumë aktiv në ndërtimin e një dialogu me ne, pasi ne bëmë bllokimin. Dhe nuk është TikTok që na ka çuar në gjyq, por është ç’të të them ç‘është, kush është, dihet kush është, që na ka çuar në gjyq edhe për TikTok. Por çfarë t’i thuash! Kështu që, ajo që pata paralajmëruar ka ndodhur, sepse me TikTok kemi vendosur jo vetëm një komunikim, por kemi vendosur dhe një bazë të re, dhe për këtë arsye Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është tërheqje, nuk është dorëzim dhe aq më pak pastaj nuk është mbyllje sysh, siç është komentuar me sa më thonë, por është rezultat i një procesi serioz, rishikimi dhe i një pune konkrete adresimi real të shqetësimeve për sigurinë dhe për filtrat e nevojshëm që të ketë shumë më tepër kontroll në kuptimin e mirë të fjalës, jo censure, por kontroll mbi gjithë aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve dhe më të rinjve, në radhë të parë”, u shpreh Kryeministri.

Ai theksoi se qëllimi i bllokimit ka qenë mbrojtja e interesit publik dhe e fëmijëve, duke siguruar një përdorim të kontrolluar dhe të sigurt të platformës.

“Ky ishte dhe qëllimi i bllokimit, interesi publik mbrojtja e fëmijëve. Dhe kjo ishte dhe vija e dialogut dhe sot TikTok është sërish i aksesueshëm, sepse janë vendosur mekanizma të rinj sigurie. Ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi dhe trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më pare”, tha Rama.