Baton Haxhiu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për shpërdorimin e detyrës dhe pezullimin nga detyra që mund t’ju bëjë SPAK zyrtarëve, si dy çështje që kërkojnë rregullime ligjore, për të mos lejuar rrezikun e krijimit të “Republikës së Prokurorëve”.

“Kemi dy fjalë me peshë shumë të madhe për pasojat. Pezullimi dhe shpërdorimi i detyrës.

Tema e shpërdorimit të detyrës, është gati 3-4 vite që është në një debat të brendshëm me ndërkomëbtaret, që kërkon të sqarohet, të hiqet ose të ndryshohet. Shpërdorimi i detyrës nuk është në asnjë prej legjislaturave evropiane, mos flas për Amerikë.

Ky term ka mbetur në Kodin Penal, për një arsye, për shkak të presionit të ndërkombëtareve. Qeverisja dhe ajo që quhet efikasiteti i burokratëve, ka ngecur seriozisht. Mos harrojmë se në tre vitet e fundit, kemi 700-800 mln euro, që mbesin nga buxheti pasi në ministri nuk kanë guxim të nënshkruhen gjëra që të tjerët i trajtojnë si shpërdorimi i detyrës. Mendoj se ky debat duhet të mbyllet. Le të gjejnë korrupsionin dhe jo shpërdorimi i detyrës të quhet korrupsion.

Te pezullimi, nuk ka institucion që ka patur përkrahje më shumë se SPAK dhe Gjykata Speciale. Nuk ka institucion që ka përkrahjen e popullit, institucioneve, shoqërisë civile. SPAK realisht gjënë e parë që ka bërë, ka ndërtuar modelin amerikan të përfaqësimit karshi të pandehurve. E para, modeli amerikan të shkatërron moralisht të pandehurin, pastaj të bëjë për vete opinionin publik ose popullin, e treta e shkakton frikën dhe pastaj ka të lehtë akt-akuzën, çfarëdo ka brenda saj.

Në një shoqëri si tonën, ka qenë e vështirë të ndërtohet hetuesia maksimali pasi drejtësia ka qenë shumë e korruptuar.

Nuk krijojmë dot një pastërti maksimale, vetëm ata që nuk e kuptojnë shoqërinë, mendojnë se kjo shkëptuje bëhet e menjëhershme. I forti në shoqërinë tonë ka qenë personazh pozitiv. Vonë ka filluar që ky i fortë të jetë i keq dhe me përmasa kriminale.

Duke patur këtë fuqi, me përkrahje ndërkombëtare, prokurorët nuk kanë shkuar me maksimumin e tyre për te hetuar fakte të mjaftueshme që akt-akuza të jetë e fortë, por kanë bërë akt-akuzë për të krijuar frikën. Këtu është rreziku mes republikës së prokurorëve dhe dënimit individual dhe jo si qeverisje”, tha ndër të tjera Haxhiu.