Nga Hermes Kafexhiu

Prej vitit 2014 kam folur për gjendjen e arsimit në Shqipëri. Që nga ajo kohë kam shkruar në disa media të ndryshme për alarmin e situatës arsimore. Kam folur veçanërisht për arsimin e lartë, i cili në atë periudhë diskutohej për ndryshimet që po pësonte ligji, por edhe për arsimin parauniversitar, që ndodhet në një gjendje kritike.

Në përgjithësi, arsimi parauniversitar është prej vitesh në krizë dhe mbart probleme për të cilat askush nuk flet hapur.

Në fakt, arsimi është lënë në plan të dytë edhe për shkak të një qasjeje banale, arsimi nuk konsiderohet “temë e ditës”, nuk “shet”, dhe në të vërtetë askush nuk e ka prioritet.

Kriza sociale ka nxjerrë në pah disa kriza të tjera që prej vitesh janë përshpejtuar. Së pari, modeli i analfabetizmit funksional që shihet çdo ditë në ekrane. Një tjetër krizë e fortë që vërehet në jetën publike është katapultimi në pozita kyçe shoqërore i individëve pa formim e pa vlera, që marrin poste publike pa asnjë standard meritokracie.

Nga ana tjetër, ajo që e ka dëmtuar më shumë klimën publike është fakti se vëmendja është e bazuar në banalitet; gjithçka është përzier, pa dallim mes së vlefshmes dhe së pavlefshmes. Shqipërinë ky proces e ka përfshirë më ashpër se vendet e tjera të rajonit, edhe për shkak të një qasjeje populiste prej vitesh nga shteti shqiptar, si dhe për shkak të kopjimit të modeleve të huaja vetëm sepse vijnë nga Perëndimi dhe konsiderohen automatikisht të suksesshme.

Kur askush nuk flet për problemet, ndodhin shpërthime si rasti i fundit, i publikuar dje, ku një mësuese ushtron dhunë ndaj një fëmije brenda një institucioni kaq të rëndësishëm si shkolla. Mbi të gjitha, kjo dhunë nuk është pasojë e ndonjë “tradite të vjetër”, për të cilën disa shprehin nostalgji, duke thënë se “na mungon mësuesi me shkop në dorë që të bënte zap”.

Dje në media u transmetua një video ku një mësuese dhunonte në mënyrë sistematike nxënësit e saj gjatë orës së mësimit. Ishte aq e rëndë, sa nuk mjafton të quhet as e turpshme, as e neveritshme. Ishte një akt i rëndë.

Kjo video tregon një krizë të madhe komunikimi. Nëse dikush mendon se mësuesi është thjesht një rrogëtar, gabon rëndë. Mësuesi është një misionar, i cili edhe në kohë të vështira, edhe në rrethana të pafavorshme për pozitën e tij shoqërore, kur tregu i vlerave ka përmbysur vlerësimin për figurën e tij, ka detyrimin të ngrihet mbi këto rrethana dhe ta trajtojë këtë detyrë si një mision.

Pas prindit në shtëpi, është mësuesi në shkollë.

Megjithatë, përveç përgjegjësisë personale të figurës së mësuesit, duhet thënë se problemet lidhen padyshim me politikat shtetërore, të cilat shpesh fshihen pas justifikimeve.

Ka humbur kultura e bisedës dhe e komunikimit. Të gjithë kanë një “shoqërues” telefonin dhe përballen me modele çorientuese, sepse mungon një objektiv i qartë.

Për mësuesin nuk është më në qendër nxënësi dhe mësimi, por rroga.
Për nxënësin nuk është më mësuesi dhe dija, por modelet që i serviren si të suksesshme.
Për shkollën nuk është modeli i suksesit, por thjesht përmbushja formale e një dite pune: “ta mbyllim dhe të ikim në shtëpi”.

E gjitha është në kakofoni, sepse mungon një objektiv i qartë. Biseda ka humbur vetë institucionin e saj. Komunikimi verbal është goditur.

Kjo ngjarje nuk na fton të kthehemi pas në kohë. Zgjidhjet janë këtu dhe janë të thjeshta, nëse ka vullnet. Zgjidhja nis me vendosjen e mësuesit në prioritet dhe me një proces të fortë filtrimi me karakter vetingu për të gjithë mësuesit. Duhet përcaktim i qartë i kurrikulave, programe integrale dhe botime të unifikuara. Po ashtu, vendosja e shkollave në një sistem konkurrues, të ngjashëm për të gjithë, do të rriste vëmendjen, përpjekjen dhe do të forconte komunikimin mes nxënësit dhe mësuesit.

Arsimi duhet të jetë prioritet kombëtar. Asnjë turist nuk ka për Shqipërinë aq rëndësi sa një mësues i mirë.

Sa i keq është një mësues i dhunshëm?
Është i keq sepse e zhvendos shkollën nga vendi i saj natyror. Shkolla është hapësira ku fëmija duhet të mësojë të mendojë, jo të frikësohet; të pyesë, jo të heshtë. Kur në atë hapësirë hyn dhuna, diçka thelbësore është prishur.

Një mësues i dhunshëm nuk është thjesht një problem disipline. Ai është tregues i një sistemi që ka toleruar uljen e standardit, ka relativizuar figurën e mësuesit dhe ka humbur seriozitetin për atë që ndodh brenda klasës. Prandaj pyetja e titullit nuk kërkon zemërim, por maturi, sepse përgjigjja nuk qëndron vetëm te individi, por te niveli që ne pranojmë si normal. Niveli që pranojmë sot, është shkolla që do të kemi nesër.

…kjo pra është e gjitha, mësuesi la veten të bjerë.