Nga Edison Ypi/
Shqipja e Folur, Shqipja e Shkruar, Shqipja e Kënduar, Shqipja e Pikturuar, Shqipja e Gdhendur, dhe ca Shqipe të tjera të larta, të shëndetshme, të fuqishme, janë braktisur, janë harruar, kanë dalë nga moda.
Në modë, dhe në kujtesë, ka mbetur vetëm 1 Shqipe, Shqipja e Lehur.
Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Ndre Mjeda, Zef Serembja, Fan Noli, Faik Konica, Lasgush Poradeci, Ismail Kadarea, janë lodhur kot, djersa e tyre vajti dëm.
Askush s’do të flasi, askush s’do të shkruaj, të këndojë, të gdhendi, të pikturojë. Të gjithë duan të kuisin me turi nga Hëna. Të gjithë duan të lehin.
Të gjitha garat, të gjitha luftat, të gjitha betejat, të gjitha konkurset, të gjitha çmimet, i fiton Shqipja e kudondodhur, Shqipja e Preferuar, Shqipja e Lehur.
Shqipja e kalbur, për shembull, që lufton dhëmbë për dhëmbë me Shqipen e Bukur, gjithmonë mbaron, gjithmonë degjeneron, në Shqipe të Lehur.
Ose Soc Shqipja që lufton për jetë a vdekje me Shqipen Normale, Standarde, Njerëzore, çdo herë finalizohet me fitoren e Shqipes së Lehur.
Po ashtu edhe ndeshja e Shqipes së Çorroditur me Shqipen e Rregullt, Shqipes së Gjirizave me Shqipen e Qiellit, Shqipes së Ajkës me Shqipen e Llumit, përfundojnë me Shqipen e Lehur.
E njëjta gjë edhe me Shqipen e Vdekur që kacafytet me Shqipen e Gjallë. Ajo që del në krye të këtij dueli është gjithmonë Shqipja e Vdekur, motra kufomë e Shqipes së Lehur.
Në arenën e ndeshjes së Gjuhëve Shqipe ndodh shpesh që Shqipja e Çmendur ndeshet për vdekje me Shqipen e Ndotur, Shqipja Bastarde me Shqipen e Llangosur, Shqipja Anakronike me Shqipen Kakofonike, Shqipja Zgjebarake me Shqipen Kanceroze.
Nuk u duhet zënë Besë. Janë luftra brenda llojit. Janë Shqipe të Sëmura që përfundojnë të gjitha te Shqipja e Lehur.
Çdo bastard shqiptar e konsideron detyrë, madje mision, të bëjë çmos për pasurimin e koleksionit të Shqipeve të Përdhosura, Shqipeve të Nakatosura, Shqipeve të Plevitosura, që përfundojnë në Shqipe të Lehura.
Protagonistat e Shqipeve të degjeneruara, duke u dridhur nga qefi që ju dha rasti të japin një kontribut sado modest në kalbjen e Shqipes, haberin e triumfit të Shqipes së Lehur ndaj Shqipeve të tjera, e lehin rregullisht në banaqet më në zë me Shqipe të Zgjedhur, Shqipe të Zgjebosur, Shqipe të Lehur.
Të tjerët, për shembull, bartësit e Shqipes Kafshërore, Shqipes Shtazarake, Shqipes Prozaike, Shqipes Prostatike, Shqipes Diabetike, Shqipes Skizofrenike, bashkë me pasurimin me të dhëna të vlefshme nga Shqipja e Folur me Veten, Shqipja e Ëndërrave, Shqipja e Kllapive, përsiatjet e tyre i shpallin rregullisht në portalin gjuhatuthaftë.al ose pikaqëstëra.net
Adhuruesit e soc-Shqipes me frymëzim staliniano-orwellian, plus idhujtarët që venerojnë sloganin “Shqipëria shkëmb graniti në breg të Adriatikut” i ke të gjithë në rrjetat sociale duke i bërë lajka njëritjetrit.
Miqtë e klubit “Na bashkoi inteligjenca artificiale” mblidhen në gjysëm-errësirë te kafeneja lakrimogjene e lagjes ku dehen me lëngje të skaduara frutash greke.
Kacafytjen e Shqipes Kafshërore me Shqipen Shtazarake, si më spektakolarja, do e bëjë film Hollivudi me skenar nga i famshmi Ha Miu, ose i pagabueshmi Pi Lejleku.
Shqipes së Vjetër që rrezikon të katandiset në Shqipe të Lehur, do i ngrihet shtatore në Kashar, te kthesa e Rinasit, ku të mos mbetet asnjë turist pa e parë. Shiritin e kësaj Shqipeje do e presi SPAK-u.
Shqipja e Lehur dhe nënproduktet e saj, si Shqipja e Plagosur, Shqipja e përgjakur, Shqipja e Varrosur, Shqipja e Katranosur, dhe të tjera Shqipe, vazhdojnë të bëjnë kërrdinë.
Në këtë pazar qensh, këtë panair kockash, sa të ha syri deri në horizont, veç lehje, veç lëpirje, veç analfabetë funksionalë që bërtasin e ulurasin në Shqipe të Lehur.




















