Projektligji i ri për sigurimin e detyrueshëm të banesave zgjeron mbulimin që më parë ishte vetëm për tërmetet, duke përfshirë tani edhe dëmet nga përmbytjet.
Sipas projektligjit, çdo pronar i banesës do të jetë i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi vjetore, e administruar nga Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm. Çmimi i sigurimit do të përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, duke marrë parasysh zonën, nivelin e riskut dhe tipologjinë e banesës.
Autoritetet paralajmërojnë se qytetarët pa një kontratë sigurimi të vlefshme mund të hasin kufizime në marrjen e shërbimeve kadastrale ose në regjistrimin e pronës.
Projektligji është ende në fazën e diskutimit dhe pritet të shqyrtohet në Kuvend, ku ekspertët dhe opozita pritet të debatojnë mbi kostot dhe ndikimin për familjet shqiptare.




















