Nga Eduard Zaloshnja/
Sa herë diskutohet për reformën zgjedhore në Shqipëri, jo pak zëra mbrojnë tezën e ndryshimit të sistemit elektoral – nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar – duke argumentuar se shumë vota të partive të vogla “digjen” në sistemin aktual, pa prodhuar dot mandate parlamentare.
Por ata që mbrojnë këtë tezë, harrojnë se në të gjitha vendet ku zbatohet sistemi proporcional kombëtar, vendoset një prag elektoral për t’u futur në parlament. Kjo për arsye të stabilitetit në qeverisje. Izraeli ka patur pragun më të ulët në botën demokratike deri më 1988 (1%) – por e ka rritur ndjeshëm atë (3.25% aktualisht), për të shmangur paqëndrueshmërinë në qeverisje.
Në Gjermani, Belgjikë, Çeki, Sllovaki, Poloni etj, pragu elektoral është 5% në shkallë kombëtare – një subjekt elektoral që nuk e arrin këtë prag nuk futet dot në parlament. Edhe në Kosovën fqinje pragu është 5%, por vetëm për subjektet shqiptare (jo për ato të vogla të pakicave kombëtare). Në qoftë se pragu 5% do të aplikohej në zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, asnjë nga subjektet e vogla elektorale nuk do të arrinte dot të futej në Kuvend. Dhe në qoftë se shpërndarja e mandateve parlamentare do të tbëhej sipas proporcionalit kombëtar, PS-ja do të merrte 87 mandate dhe PD-ASHM 53 mandate.
Në Austri, Suedi, Norvegji, etj, pragu elektoral është 4% në shkallë kombëtare.
Në qoftë se pragu 4% do të aplikohej në zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, vetëm 1 nga 9 subjektet e vogla elektorale do të arrinte të futej në Kuvend. Dhe në qoftë se shpërndarja e mandateve parlamentare do të bëhej sipas proporcionalit kombëtar, PS-ja do të merrte 83 mandate, PD-ASHM 51 mandate, e Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” 6 mandate. Pra këto dy subjektet e fundit, do të shtonin peshë në përfaqësimin parlamentar në kurriz të 8 partive të mbetura jashtë Kuvendit, krahasuar me sistemin aktual elektoral. Dhe 157 mijë votat e këtyre 8 partive do të konsideroheshin si vota të “djegura” kot ( sipas zhargonit të diskutimeve publike).
Të njëjtën shpërndarje do të kishim me rezultatet e majit 2025, edhe po të aplikohej pragu elektoral 3.25% (të cilin e ka aktualisht Izraeli).
Me zbritjen e pragut poshtë 3% kuptohet që rritet probabiliteti i futjes në parlament të partive më të vogla, por në shtete të ndryshme demokratike aplikohen mekanizma elektoralë shtesë në favor të partive të mëdha. Kjo, pikërisht për të siguruar stabilitet në qeverisje…




















