Politikania socialiste dhe dikur ish-zëvendëskryeministre, Ermelinda Meksi ka bërë një shënim për ndryshimet e fundit në kabinetin Rama, duke nxjerr në pah se ishin institucionet speciale të drejtësisë që diktuan riformatimin e posteve qeveritare nga Edi Rama.

Ajo thekson se nëse edhe nivelet më të larta të qeverisjes përballen me hetim pa imunitet politik dhe pa pengesa nga shumica, atëherë kemi një standard më të lartë institucional se dje. “Dhe kjo nuk është vetëm çështje e balancës së pushteteve”, shkruan ajo.

Lexoni shënimin e plotë të socialistes Ermelinda Meksi:

Ndryshimet e fundit në qeveri meritojnë një analizë të qetë, larg reagimeve emocionale.

Për muaj me radhë u artikulua teza se “pushtetet janë të ndara” dhe se drejtësia nuk mund të diktojë ekzekutivin. Nga ana tjetër, është e pamohueshme që vendimet e SPAK dhe të GJKKO prodhuan efekt politik dhe çuan në riformatim të kabinetit qeveritar.

Por fakti që një hetim sjell pasoja politike nuk do të thotë se drejtësia “diktoi” qeverinë.

Ekzekutivi ka të drejtën kushtetuese të ndryshojë përbërjen e tij në çdo moment.

Një riformatim i qeverise mund të synojë rimarrjen e iniciativës politike, reflektim mbi performancën qeverisese apo funksionim në një realitet ku drejtësia është më aktive dhe standardet janë më të larta.

Çështja nuk është sa ministra ndryshohen.

Pyetjet që shtohen janë:

– A lejohet drejtësia të hetojë pa pengesa?

– A respektohen vendimet gjyqësore?

– A do shmangen ndryshime ligjore që dobësojnë institucionet e reja?

Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama do veçoja ate që ai e tha qartë se:

“Kurrë nuk do ndërhyjmë në çështjet që i takojnë drejtësisë.” dhe “SPAK nuk preket, vetëm mbështetet.”

Por demokracia matet nga shembulli që jepet kur pushteti vihet në provë.

Nëse edhe nivelet më të larta të qeverisjes përballen me hetim pa imunitet politik dhe pa pengesa nga shumica, atëherë kemi një standard më të lartë institucional se dje.

Dhe kjo nuk është vetëm çështje e balancës së pushteteve.

Është çështje besueshmërie përpara qytetarëve dhe përpara Bashkimi Evropian.

Sepse integrimi nuk është vetëm proces teknik, por provë konkrete e funksionimit të shtetit ligjor.

Nëse ky standard mbahet dhe konsolidohet, atëherë jo vetëm që forcohet demokracia, por përshpejtohet realisht rruga drejt anëtarësimit në BE, objektiv i premtuar që kërkon prova.

Kjo është çështja më thelbësore sot.