Mbrëmjen e djeshme është zhvilluar ndeshja e javës së 14 – të mes Barrikadës dhe Immit, e parafundit për fazën në grupe të kampionatit “Sunday League”.

Nisur nga renditja Barrikada vinte favorite në këtë sfidë gjë të cilën e tregoi edhe loja e luajtur bashkë me rezultatin 2 – 0.

Barrikada e tentoi golin që në minutat e para me Sallufin, i cili nga goditja e dënimit lëshon një silurë drejt portës por topi devijohet me vështirësi nga portieri kundërshtar.

Nga distanca provojnë edhe Bakaj e Berberi por topi në të dyja rastet përfundon mbi traun e portës.

Këto shkëndija të Barrikadës do përktheheshin në gol në minutën e 12′.

Aksioni fillon nga Bakaj që rekuperon një top në mesfushë në krahun e majtë, godet portën dhe fiton një rivënie këndore.

Te topi afrohet Avelino i cili hedh një kros të bukur në zonë dhe lushnjari Giçi dërgon topin në rrjetë pas goditjes me kokë.

Minutat në vazhdim prodhojnë një goditje dënimi për ekipin e Immit por që topi i gjuajtur pas devijimit të mbrojtjes përfundon lehtë në duart e Blloshmit.

Pasimet e sakta dhe inkursionet e herëpas-hershme deri në vijën fundore nuk përkthehen në gol për Immin.

Nga ana tjetër një pakujdesi e portierit të Immit mund të shfrytëzohej më mirë nga Saraçi i cili vonon pasën për Berberin.

Duhet theksuar se deri në këtë moment të lojës tekniku Biba u ka dhënë detyrë Berberit dhe Bakajt që të mbajnë sa më lart presionin ndaj mbrojtjes kundërshtare, detyrë të cilën e zbatojnë me përpikmëri.

Pjesën e dytë zbret në fushë një Barrikadë më e tërhequr por që gjithsesi inkursionet e Berberit mjaftojnë për të vënë në rrezik mbrojtjen kundërshtare.

Immi nga ana tjetër tenton në jo pak raste golin por portieri Blloshmi si gjithmonë tregohet në lartësinë e duhur.

Teksa ndeshja po shkonte drejt rezultatit 1 – 0 një kundërsulm i Gjokës (më i miri në fushë gjatë pjesës së dytë) në sekondat e fundit shfrytëzohet mjaft mirë nga Neli i cili asistin e shokut të ekipit e përkthen në gol duke vulosur shifrat në 2 – 0.

Pas 14 javëve kampionat, Barrikada ruan vendin e parë me 37 pikë.