Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, gjatë protestës kombëtare të opozitës para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë dhe oligarkët për korrupsion, duke “varfëruar shqiptarët, vrarë shpresën e të rinjve dhe boshatisur vendin”.

Ajo bëri thirrje për një front të gjerë bashkimi të qytetarëve, duke theksuar se “gjërat që na bashkojnë janë më të mëdha se ato që na ndajnë” dhe krahasoi gjendjen aktuale me diktaturën e Enver Hoxhës:

“Drita gjen rrugën e saj gjithmonë, liria triumfon gjithmonë, diktatura nuk mund ta mposhtë atë përfundimisht… Më 20 shkurt u rrëzua monumenti i një njeriu që mendonte se ishte i përjetshëm, por i përjetshëm është vetëm Shqipëria.”-tha Tabaku.

Tabaku theksoi se korrupsioni ka sjellë varfëri, falimentim të biznesit dhe bujqësisë, duke përfituar vetëm oligarkët dhe klientët e qeverisë. “Ky sistem ka vrarë meritokracinë, shpresën e të rinjve dhe mundësinë për të jetuar këtu,” tha ajo, duke apeluar për një mobilizim të përbashkët të opozitës dhe qytetarëve për të rikthyer demokracinë.

“Të gjithë në një front të përbashkët, nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar Shqipërinë. Nuk ka kohë për të humbur, na duhet guxim e bashkim, sepse autokratët bien, por Shqipëria është e përjetshme.”-tha Tabaku.