Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Është cilësuar si shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist mjaft i mirë.

Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në Shqipëri, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë si përkthyes. Në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjerë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet më 10 vjet burg si kundërshtar i regjimit komunist. Nga ky dënim kalon dy vjet në burgjet politike dhe më pas amnistohet dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mitrush Kuteli i cili ka dhënë një kontribut në letërsinë shqiptare vdiq më 4 maj të viti 1967 në Tiranë.

DËNIMI I SHKRIMTARIT

Akuzat “fashist” dhe “antijugosllav” mbështollën arrestimin e intelektualit, por procesverbalet e hetuesisë dhe faktet e zbardhura dëshmojnë për mungesën e së vërtetës te e para dhe të fajit te e dyta. Dosja ku është dokumentuar dënimi i shkrimtarit mban urdhrin e prokurorit Publik, sipas të cilit “Dhimitër Pasko të ndalohet për një kohë të pacaktuar dhe të mbyllet në burgun e armiqve të popullit”.

Në procesverbalin e hetuesisë, sipas Kujto.al, Dhimitër Pasko iu përgjigjet pyetjeve për përfshirjen e tij në front me forcat naziste të Rumanisë, ku ai jetonte në atë kohë, për veprimtarinë në Bankën Kombëtare gjatë pushtimit, për shkrimet e botuara në gazetën “Bashkimi i Kombit” dhe marrëdhëniet me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin, të shpallur tashmë armiq. Dhimitër Pasko nuk e ka mohuar kurrë pjesëmarrjen në trupat që u nisën drejt Bashkimit Sovjetik në vitin 1941, në të cilat u reshtuan me detyrim ushtarakë, civilë e intelektualë. Pyetjes nëse ai ka qenë vullnetar në atë grumbullim kundër ushtrisë së kuqe të Bashkimit Sovjetik, i është përgjigjur me mohim bindës. “Jo, nuk kam qenë dhe as që mendoja, por më morën disa muaj ushtar me forcë dhe prita rastin e parë që të largohesha. Atje kam qëndruar dy muaj dhe punoja si sekretar II. Me anë të bankës u lirova, pasi kërkova vetë një gjë të tillë”, ka thënë ai dhe largimi nga fronti, kthimi në Rumani e më pas në Shqipëri, ku fashistët i kishin vrarë të atin dhe djegur shtëpinë në Pogradec dhe qëndresa e faktuar ndaj pushtuesve gjermanë ndërsa punonte si drejtues banke, kur edhe filloi të ndiqet nga gjermanët për të përfunduar në listën e zezë të Gestapos në Vjenë, vërtetojnë fjalët e tij.

“Unë kam menduar si kundra okupatorit, për mos me i dhënë mjete financiare, për të larguar ose ngadalësuar ato që jipte qeveria, për të sigurue rezervën e arit dhe për të mos emetuar monedhë të re etj.”, është shprehur Dhimitër Pasko. Për shkrimet në gazetën “Bashkimi i Kombit”, ka thënë që kanë qenë kritike ndaj qeverisë, ndërsa me Kostë Boshnjakun e Kolë Kuqalin që kishte vetëm marrëdhënie për hir të punës dhe studimeve dhe që nuk kishte zhvilluar asnjë nga ato bisedat që pretendonte Prokuroria për rrëzimin e pushtetit. E megjithatë, Dhimitër Pasko u dënua me 5 vjet heqje lirie. Ndoshta trupi gjykues e pranonte që ai nuk ishte reshtuar vullnetarisht kundër Ushtrisë së Kuqe, por nuk mund të pranonte kurrsesi që ai ishte reshtuar kundër Jugosllavisë, si financier, por edhe si shkrimtar, me poemën “Poemi kosovar”. Vetëm pasi u dha vendimi, bashkëshortja dhe miqtë u lejuan ta takonin. Pas kësaj, e dërguan në Vloçisht, ku ai i nënshtrohet jo vetëm punës së rëndë, por edhe poshtërimit e torturës që përmblidhen në episodin makabër, që vite më vonë e ka treguar gjatë një përkujtimoreje të shkrimtarit, dëshmitari, Hamza Tusha.

“Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t’i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t’i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë”. …”Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri te mjekra…pastaj, e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t’i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor!!” …”Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Marko. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë: “Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t’i tregosh (unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë: “Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe!”… “Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete!”, ka mbyllur rrëfimin e tij Hamza Tusha.

KTHIMI NË TIRANË

E mbajtën 7 muaj në atë kamp, derisa e sollën në Tiranë, për ta bashkuar me një grup të dënuarish me të cilët do të përkthente. Më pas, në prill të vitit 1949, lirohet. Arsyeja e amnistisë, që mund të ishte dhe prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, u tha se ishte dënimi i Koçi Xoxes, duke e quajtur vepër të tij edhe arrestimin e Dhimitër Paskos. Si çdo vendim tjetër të rëndësishëm për Dhimitrin që nga dita e arrestimit, Efterpi e mësoi rastësisht, duke lexuar emrat e të amnistuarve në gazetën “Zëri i Popullit”. Në atë gazetë do të niste punë ca muaj më vonë si përkthyes, për shkak të nevojës për përkthime dhe jo sepse nga armik ishte kthyer papritur në intelektualin e mirëpritur të qarqeve mediatike dhe letrare të Shqipërisë.

I tillë nuk u bë kurrë. Pas “Zërit të Popullit”, u çua si përkthyes në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, jo si nëpunës, por si bashkëpunëtor që paguhej me numër faqesh, një punë së cilës duhej t’i nënshtrohej deri në sfilitje për të mbajtur familjen, ku u lindën katër fëmijë. Të drejtën e botimit nuk ia jepnin; në Lidhjen e Shkrimtarëve që e kishte bashkëthemeluar, nuk e anëtarësonin; emrin në përkthime nuk ia botonin e megjithatë Dhimitër Pasko vazhdoi të punojë dhe la te fëmijët e tij, amanetin “për të dashur atdheun dhe gjuhën deri në vuajtje, për të mos u shkarë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuanin pa faj”. Sa e huaj për kohën ajo letër me këshilla biblike, e hapur në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall shtet ateist. Dhe sa frymëzuese edhe sot!