Seanca parlamentare sot është shoqëruar me tensione, akuza dhe përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Në sallë nuk kanë munguar, debatet, replikat, ironitë dhe ndërprerjet e vazhdueshme.
Për të komentuar zhvillimet e fundit politike, analisti Namir Lapardhaja ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderatorin Roland Zili.
Ai u ndal te sjellja e opozitës në Kuvend, reagimi i mazhorancës pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Balluku”, si dhe te protesta e fundit e opozitës që u shoqëruan me incidente dhe përplasje me policinë.
Në analizën e tij, Lapardhaja theksoi se kjo situatë politike duket se i shërben më shumë pushtetit sesa opozitës.
Intervista e plotë:
Si mund ta shikojmë sjelljen e opozitës në parlament sot, por edhe reagimin e mazhorancës, që i mori një kohë të mirë debatit parlamentar me debate, fyerje dhe përplasje?
Lapardhaja: Tashmë nuk është më diçka e re që sa herë ka seanca parlamentare, sidomos kur në seancën e Kuvendit është i pranishëm Sali Berisha, përgjithësisht krijohen tensione. Do të sillja në vëmendjen tuaj seancat e mëparshme kur Berisha nuk ka qenë prezent, për shembull kur ishte në Këshillin e Evropës, atëherë nuk pati asnjë lloj problemi në zhvillimet e Kuvendit. Të gjithë deputetët diskutuan, debatuan, ballafaquan mendimet dhe pati replika me njëri-tjetrin, por gjithçka vijonte normalisht. Për sa kohë që shfaqet Berisha aty, dhe sidomos kur ai ngrihet në foltore dhe kërkon të marrë fjalën, atëherë duket sikur lindin probleme. Nuk e di nëse kjo është e qëllimshme, apo deputetët e opozitës kanë ndonjë merak në raport me sjelljen e tyre ndaj Berishës për t’u dukur sikur po e mbrojnë, por ky fakt është evident. Nga ana tjetër, sigurisht që mazhoranca nuk është në kushtet e saj optimale. Çështja Balluku është aty dhe as Edi Rama, as deputetët socialistë nuk mund të fshihen më pas gishtit apo pas asaj që thoshin deri dje, se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Tani që Gjykata Kushtetuese mori atë vendim pa vendim, mazhoranca socialiste duhet t’i japë drejtim çështjes së zonjës Balluku, ose duhet t’ia heqin imunitetin, ose duhet të deklarojnë hapur se nuk e japin imunitetin e Belinda Ballukut.
Në krahun tjetër kemi një protestë të fundit të opozitës, e cila përfundoi me sulme, molotovë, mjete piroteknike dhe sende të forta, jo vetëm ndaj institucioneve, por edhe ndaj punonjësve të policisë. Kjo ka marrë shumë vëmendje në publik, veçanërisht lëndimi i policëve dhe konfrontimi me tubuesit. Kjo lloj sjelljeje, i sjell më shumë fitim apo humbje opozitës?
Lapardhaja: Opozita nuk është në kushtet që të përfitojë nga protestat. Protesta e 10 shkurtit, por edhe ajo e mëparshmja e 24 janarit, duket se ishin thuajse të njëjta, me dallimin e vetëm se kjo e dyta kishte një pjesëmarrje më të ulët. Sigurisht që rruga e opozitës nuk është as dhuna, as linçimi dhe as goditja e punonjësve të policisë apo e institucioneve. Rruga e duhur që do të duhej të ndiqte opozita, sidomos në këtë periudhë, do të ishte reformimi i saj për të krijuar një kontrast të thellë me qeverinë. Nga njëra anë kemi një qeveri thellësisht të korruptuar, e cila duhet të ikë një orë e më parë, por nga ana tjetër kemi një opozitë e cila nuk ka ditur të reformohet gjatë kësaj kohe. Sa herë që opozita ka probleme, ajo bën protesta që prodhojnë dhunë në rrugë dhe debate të forta në parlament. Kjo panoramë i intereson më shumë pushtetit dhe Edi Ramës. Sa herë që Sali Berisha bën shfaqje dhune, Edi Rama lëshon karremin për ta tërhequr atë në biseda në komisionet e posaçme. Duket sikur ekziston një lloj pazari që vijon pavarësisht retorikës. Pushteti ka një alibi të madhe, Sali Berishën. Gjithmonë kthehen te çështjet e të kaluarës, si ajo e vitit ’97, e 21 janarit apo korrupsioni i djeshëm qeveritar. Në këto kushte, PD-ja dhe opozita nuk kanë gjetur forcë të reformohen, ndërsa PS-ja tregon me gisht “Gogolin” Berisha, i cili kërkon të rikthehet me mëkatet e së kaluarës. Ata që e vuajnë këtë situatë mbi kurriz janë qytetarët shqiptarë, të cilët gjenden mes një qeverie që i vjedh përditë dhe një opozite që nuk po shndërrohet në një alternativë të besueshme morale dhe politike.




















