Territorialja, Mazniku: Kemi humbur shumë kohë, ja si do të funksionjë komisioni!
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale, do të nisë punën, pavarësisht bojkotit të opozitës, e cila ka refuzuar sërish pjesëmarrjen edhe këtë të hënë.
Arbjan Mazniku, në cilësinë e bashkëkryetarit në mbledhjen e sotme theksoi se opozitës i janë dhënë të gjitha garancitë, për t’u bërë pjesë e kësaj reforme, ndërkohë që theksoi se mungesa e opozitës në katër mbledhje radhazi ka bërë që për dy muaj ky komision të mos ketë patur punë dhe as produkt.
_”Kur komisioni u krijua me kërkesë të opozitës, pavarësisht përbërjes së parlamentit dhe raporteve të mazhorancës dhe opozitës, u ra dakord, duke parë parsysh që rëndësinë që reforma territoriale ka, që komisioni të ketë antarësi të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës. U ra dakord gjithashtu, që të kishim një element bashkëkryesie, t’i jepnim gjithë mundësitë për të pasur pjesëmarrjen e opozitës dhe për t’i dhënë asaj garanci speciale dhe më tej se sa është edhe praktika më e mirë parlamentare europiane, që të kishin një zë në këtë proces të rëndësishëm.
Kjo është sot mbledhja e katërt në të cilën opozita nuk vjen. Kemi humbur thuajse dy muaj kohë në një reformë shumë të rëndësishme, në një reform që është në ngut kohe.
Siç e kemi shpjeguar, duke qenë se zgjedhjet e ardhshme vendore ndodhin në prill apo maj të vitit 2027 është shumë e rëndësishme që reforma territoriale të përmbyllet, siç janë dhe praktikat më të mira europiane rreth një vit para zgjedhjeve.
Synimi ynë është që t’i qëndrojmë besnik këtij parimi; duhet të përmbyllim reformën territoriale deri në korrik të këtij viti”, tha Mazniku._
Gjatë fjalës së tij, Arbjan Mazniku shpjegoi dhe mënyrën se si do të punojë komisioni, puna e të cilit do të jetë e ndarë në tre faza kryesore.
” _Është e rëndësishme t’i shpjegojmë publikut hapat e mëtejshme të punës që kemi për të bërë së bashku.
Hapat e punës do të jenë të ndarë në tre kapituj të mëdhenj. Kapitulli i parë që do të ndodhë që tashmë qysh në muajin shkurt, komisioni do të jetë i ndarë në 3 grupe të mëdha ku secili grup do të mbuloj katër qarqe. Do të synohet që gjatë muajit shkurt ky grup, me1/4 e komisionit do të shkojnë bashkë me ekspertët që do t’i bashkohen grupit, bashkë me deputetët e zonës, të takojnë kryetarët e bashkive, anëtarët e këshillit bashkiak, bizneset, shoqërinë civile, ekspertët lokalë, për të diskutuar në të gjithë territorin në lidhje me problematikat, sfidat dhe nevojat që pushteti vendor ka përpara. Kjo do të jetë faza e parë e konsultimit publik. Në muajin mars do të kemi fazën e dytë të konsultimeve, e cila do të jetë faza e konsultimeve tematike. Sërish, komisioni do të jetë i ndarë në tre grupime, njëri grup do të merret me territorin dhe qeverisjen, grupi i dytë do të merret me funksionet e pushtetit vendor dhe grupi i tretë do të merret me financimin e pushtetit vendor dhe secilin prej këtyre 3 grupeve do të ketë konsultime tematike në fushën e vet. Në muajin prill-maj do të fillojmë hartimin e procesit formal të ligjit dhe opsioneve specifike për reformën. Kur shprehem për rëndësinë dhe nxitimin që ky proces ka, është e rëndësishme që t’i shpjegojmë edhe publikut që një reformë e tillë, e cila ka nevojë për një konsultim shumë të madh publik, në të gjithë territorin nuk është një reformë që bëhet në zyrë, nuk është një reformë që bëhet vetëm nga anëtarët e komisionit, por është një reformë e cila duhet të përfshijë të gjitha institucionet lokale vendore dhe qendrore, një diskutim tërësor për mënyrën më të mirë sesi mund të suportohet pushteti vendor për të qenë më efikas, më efiçentë dhe për ti shërbyer më mirë qytetarëve”, tha ai_
Mazhoranca i ka kërkuar parlamentit që të ndryshojë mënyrën si është formuar komisioni, duke shtuar një anëtar dhe duke kaluar nga komision me bashkëkryesi në një komision standard parlamentar me kryetar dhe nënkryetar.
“I kemi kërkuar javën që kaloi parlamentit që të ndryshojmë mënyrën si është formuar komisioni, pa ndryshuar shumëçka, por duke shtuar thjesht një anëtar në anën e mazhorancës në mënyrë që të krijojmë një mekanizëm zhbllokues për funksionimin e komisionit.
Kjo nuk do të thotë që opozita nuk është pjesë e komisionit. Opozita do të jetë gjithmonë e mirëpritur në komision, në të gjitha proceset, në të gjitha hapat, në të gjitha diskutimet. Do të ketë vendin e saj sistematik, 8 anëtarët e komisionit janë ata që janë. Kemi kërkuar gjithashtu që të ndryshojmë një element të dytë që nga bashkëkryesi, të kalojmë në një proces kryetar/ nënkryetar, siç janë komisionet standarde në mënyrë që të krijojmë një element të parlamentarizmit normal në këtë komision, por ndërkohë të fillojmë të punojmë për këtë proces”, theksoi Mazniku.




















