Vllaznia nuk është më e pathyeshme. Pas nëntë fitoreve radhazi mes kampionatit dhe Kupës, shkodranët janë ndalur nga Bylis në javën e 25-të të Superiores.
Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa triumfoi 2-1 në shtëpi, në një përballje me ritëm dhe emocione deri në fund. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa sfida u zhbllokua në minutën e 48-të. Stoilov, i futur nga stoli, realizoi një supergol me një gjuajtje të fortë nga distanca, duke mposhtur portierin Pohls.
Vllaznia reagoi dhe provoi në disa raste për të rikthyer baraspeshën, por pa arritur të konkretizojë rastet e krijuara. Miqtë protestuan edhe për një penallti të padhënë, por loja vijoi dhe vendasit përfituan në fund.
Sanogo realizoi golin e dytë për ballshiotët, duke vulosur praktikisht fitoren. Në minutat shtesë, Tafil realizoi për kuqeblutë, por goli kishte vetëm vlerë statistikore.
Me këtë sukses, Bylis largohet nga vendi i fundit dhe ngjitet në vendin e tetë me 23 pikë. Vllaznia, pavarësisht humbjes, mbetet në krye të renditjes me 48 pikë, e ndjekur nga Egnatia me 46 pikë dhe Elbasani me 45 pikë.




















