Nga Eduard Zaloshnja/

Sipas një studimi të botuar në Foundations of the Future, (https://www.worldscientific.com/doi/10.1142/9789811218040_0009?srsltid=AfmBOoqJnMevjFUEj4GkOËriZu1sC-uBN04lqz5Ze2VK-Uh5H15V68xm ), 10% të kostove të infrastukturës mesatarisht në gjithë botën “i thith” korrupsioni. Në vendet në zhvillim, “thithja” nga korrupsioni është më e lartë (kuptohet vetvetiu).

Le të hamendësojmë për një çast se “norma e korrupsionit” në Shqipëri ka qenë deri më sot në intervalin 15%-20% (në mungesë të një studimi rigoroz për këtë problem në invesitmet për infrastukturën shqiptare). Ndërkohë, shqetësimi është se opozita dhe mediat nuk flasin me fraksione projektesh, por me totalet e tyre!!!

Kështu, kur përfundoi autostrada Rrëshen-Kalimash, opozita e atëhershme dhe mediat pranë saj citonin koston totale të rrugës (1.3 miliardë dollarë), e jo shumën 200 milionë dollarë mbi koston reale të projektit, për të cilën prokuroria akuzoi Lulzim Bashën. (Shembuj të tillë gjenden me bollëk deri më 2013)

Duke ardhur në ditët e sotme, opozita e tanishme dhe mediat pranë saj, i raportojnë 190 milionë eurot e projektit të LLogarasë si të futura në xhepin e Ballukut. Sikur rruga dhe tuneli, ku kalojnë mijra automjete në ditë atje, të mos ekzistonin fare…

I njëjti problem me Unazën e Madhe të Tiranës. Opozita e tanishme dhe mediat pranë saj, i raportojnë (me spond) 400 milionë eurot e shpenzuara atje si të përkthyera në 400 vila të Ballukut. Sikur Unaza e Madhe e Tiranës, ku kalojnë dhjetra mijra automjete në ditë, të mos ekzistonte fare…

Kulmi në mediat tona arriti kur po debatohej nëpër emisione rreth ndryshimeve më të fundit të qeverisë. Refreni ishte: Filan ministër do të firmosë për kaq miliardë euro në vit dhe fistek minister për aq miliardë euro në vit (me nënkuptimin se shumica dërrmuese e këtyre miliardave do të shkojnë në xhepat e tyre).

Sipas studimit të cituar në fillim të këtij shkrimi, 10% të costove të infrastukturës mesatarisht në gjithë botën “i thith” korrupsioni (në vendet në zhvillim përqindja është më e lartë se mesatarja). Ky është një problem që e ka shoqëruar njerëzimin qysh nga lindja e shtetit, si forma më e lartë e organizimit shoqëror.

Por opozita jonë dhe mediat pranë saj nuk duhet të bëhen qesharake duke ngatërruar totalin e kastove infrastrukturore me fraksionin e tyre që thish korrupsioni. Sepse tingëllojnë pastaj si tek ajo barcaleta, ku sipërmarrësi tha se ajo ura atje (që nuk ekzistonte fare) ndërtoi këtë vilën time këtu…