Nga Mero Baze
Për të kuptuar gënjeshtrën e parë, mendoni një moment se çfarë i thotë vetes një demokrat sonte kur protesta përfundon dhe kthehet në shtëpi, pasi është bombarduar gjithë ditët e fundit për herë të katërt, që kjo është dita e fundit e qeverisë.

Shumica e atyre dymijë vetëve që janë në bulevard janë të qetë se e dinin që ajo ishte gënjeshtër me shpresë se do mobilizonin të tjerët. Pra ideja se qeveria do rrëzohet te protesta e radhës, është i vetmi mekanizëm sugjestionimi që Berisha ka shpikur me shpresë të rrisë pjesëmarrjen, por jo vetëm zvogëlon.
Përsëritja e kësaj gënjeshtre i bën gjithnjë e më të vogla protestat kundër Edi Ramës.

Kështu që kjo është gënjeshtra e parë nga e cila duhet të heqin dorë kur të lajmërojnë protestën e radhës. Është më mirë të thonë se do dalim një herë në dhjetë ditë në protestë deri më 2029, kush të dojë le të vijë, nuk na intereson. Ndoshta mund të ketë më shumë njerëz se sa vijnë pas gënjeshtrave idiote të përmbysjes çdo dhjetë ditë.

Gënjeshtra e dytë nga e cila duhet të heqin dorë është se tani do fitojmë se Edi Ramën do ta rrëzojnë amerikanët. Dhe kjo nuk ka shumë lidhje me vizitën e Ramës në Uashington. Ajo ishte si një mallkim nga Zoti për gënjeshtrat e Berishës. Por Edi Rama dhe mund të mos shkonte në Uashington, madje dhe mund të ishte në krizë me qeverinë amerikane për arsye politike, por kjo nuk e rrëzon nga pushteti.

Antiamerikanizmi nuk rrëzoi nga froni i PD Sali Berishën, që është një parti antikomuniste e themeluar me ndihmën e SHBA e jo më të rrëzojë Edi Ramën që është kryetar i një partie që deri më 1991 ka pas elektoratin më antiamerikan në botë. Nuk ka funksionuar te PD, nuk funksionon as te PS.

I vetmi rast kur ka funksionuar rrëzimi i një qeverie në Shqipëri me ndihmën e SHBA ka qenë viti 1997, kur SHBA mbështeti protestat popullore për rrëzimin e Berishës. Por dhe ato nuk u bënë aq për shkaqe politike sesa për shkak të skandalit të firmave piramidale. Ai është i vetmi rast kur SHBA fituan autoritet për ndryshimin e pushtetit në Shqipëri, jo për meritat e tyre, por për meritë të shqiptarëve.

Ndaj është mirë që dhe kjo gënjeshtër autosugjestionuese të heqin dorë. Thjesht gënjejnë veten.
Gënjeshtra e tretë nga e cila duhet të heqin dorë është se fitohet dhe me Sali Berishën. Nuk fitohet më kurrë me Sali Berishën. Fitohet ndoshta duke mos e vrarë atë, por jo duke e lënë kryetar dhe duke orientuar pushtetin te klani i tij familjar. Nuk është vetëm Sali Berisha “non grata”, por gjithë familja e tij dhe do jetë njollë e përjetshme.

Askush nuk beson më se një plak 82 vjeçar, i korruptuar dhe vrasës, autokrat dhe me një rreth kriminal publik, mund të bëjë rotacionin politik në Shqipëri. Të gjithë ata që thonë se pa Sali Berishën nuk ka PD, ndoshta kanë të drejtë, por pa Sali Berishën do ketë një opozitë që mund të përmbysë qeverinë. Kush i dhimbset familja Berisha le ta mbajnë Berishën në krye të PD-së dhe le të bëjnë çfarë të duan. Por kush do pushtetin duhet të heqë Sali Berishën. Jo vetëm nga selia e PD por dhe nga mendja.

Pasi të binden të heqin dorë nga këto tre gënjeshtra opozitarët tani mund të bëhen njerëz normalë. Dhe normaliteti fiton.