Një shtetas italian ka ndërruar jetë disa ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të kryer në një spital privat në Tiranë. Bëhet fjalë për Massimo Ferro, i cili iu nënshtrua një operacioni bariatrik për zvogëlimin e stomakut më 18 dhjetor të vitit të kaluar në Trita Hospital.

Në një deklaratë zyrtare, Trita Hospital sqaron se ndërhyrja është kryer nga një ekip i specializuar dhe në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi. Sipas spitalit, pacienti kishte ndjekur më herët këshillim dhe monitorim dietologjik në Itali dhe kishte marrë miratimin e plotë nga specialisti që e ndiqte atje për kryerjen e procedurës.

Spitali bën me dije se në ditën e katërt pas operacionit, pas shfaqjes së çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti është referuar menjëherë për trajtim më të specializuar. Sipas deklaratës, ekipi mjekësor ka ndërmarrë të gjitha veprimet e kërkuara nga praktika klinike.

Më pas, Ferro është trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, ka pësuar arrest kardiak dhe ka ndërruar jetë më 22 dhjetor.

Deklaratë zyrtare

Trita Hospital

Në lidhje me raportimet mediatike mbi rastin e shtetasit italian Massimo Ferro, Trita Hospital informon opinionin publik për faktet e verifikuara si më poshtë:

Më datë 18 dhjetor të vitit të kaluar, shtetasi Massimo Ferro iu nënshtrua në Trita Hospital një ndërhyrjeje kirurgjikale bariatrike për zvogëlimin e stomakut. Procedura u krye nga ekip i specializuar dhe në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi.

Pacienti kishte ndjekur më parë këshillim dhe monitorim dietologjik në Itali dhe kishte marrë miratimin e plote për kryerjen e kësaj procedure nga specialisti që ndiqte rastin e tij ne Itali.

Në ditën e katërt pas operacionit, pas shfaqjes së çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua menjëherë për trajtim më të specializuar. Ekipi mjekësor ndërmori pa vonesë të gjitha veprimet e kërkuara nga praktika klinike.

Pacienti u trajtua më pas në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku, pavarësisht përpjekjeve të stafit shëndetësor, pësoi arrest kardiak dhe ndërroi jetë më 22 dhjetor.

Pas ngjarjes, sipas protokolleve dhe procedurave, dokumentacioni mjekësor është sekuestruar nga autoritetet përkatëse dhe është në zhvillim një hetim penal, me të cilin Trita Hospital po bashkëpunon plotësisht dhe pa asnjë rezervë.

Në lidhje me pretendimet e publikuara për heqje organesh, sqarojmë se trupi i të ndjerit është marrë në administrim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Organet përkatëse ndodhen në këtë institucion si pjesë e procesit standard ligjor.

Trita Hospital konsideron të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm çdo spekulim publik që paraprin përfundimet e ekspertizave zyrtare dhe cenon integritetin profesional të personelit shëndetësor.

Spitali mbetet plotësisht i hapur për çdo verifikim institucional dhe ekspertizë të pavarur dhe inkurajon që opinioni publik të mbështetet vetëm mbi rezultatet zyrtare që do të dalin nga hetimi dhe verifikimet.

Nuk ka interes më të madh për Trita Hospital se hetimi i plotë dhe transparenca mbi këtë rast.

Në respekt të kujtimit të Massimo Ferro dhe familjes së tij, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe kërkojmë që kjo çështje të trajtohet plotësisht, me maturi, përgjegjësi dhe empati.