Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka reaguar pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.
Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë. “Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.

Familja shqiptare humbi jetën siç del deri tani nga hetimet, si pasojë e  çlirimit të monoksidit të karbonit nga një kaldajë difektoze në banesën e tyre. Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali ku babai punonte në një kompani lyerjeje, nëna ishte shtëpiake, djali punonte si elektricist dhe vajza ishte nxënëse.

Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 42 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hadjar, 23 vjeç dhe Xhesika, vetëm 15 vjeçe një familje prej vitesh e integruar dhe e respektuar në komunitetin lokal shkruajnë mediat italiane.