Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Apelit të Posaçëm për të kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë të datës 1 shkurt, me të cilin gjyqtarja Etleva Deda vendosi vijimin e masës së arrestit në burg ndaj tij.
Veliaj kërkon që Apeli të vendosë një masë më të butë sigurie, duke ofruar si alternativë edhe garanci pasurore.
Sipas njoftimeve zyrtare, Apeli ka regjistruar kërkesën dhe ka caktuar gjyqtaren Nertina Kosova për shqyrtimin e saj. Kjo lëvizje vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për të çuar në gjykim dosjen në ngarkim të Veliajt.
Seanca në Apel është caktuar të zhvillohet më 24 shkurt.




















