Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka dalë me një njoftim, që nuk e kishte bërë asnjëherë më parë, në rrjetet sociale, duke theksuar se institucioni i tyre mbështetet vetëm në fakte dhe në prova.

Në fakt, ajo që po ndodh në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erjon Veliaj i ngjan më tepër akuzave për agjitacion dhe propagandë, se sa një procesi të bazuar me fakte dhe prova.

Një audio e siguruar nga gazeta TemA dhe që ka të bëjë me seancën për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt në GJKKO tregon se si prokurori Ols Dado i referohet një shkrimi në media duke akuzuar se sipas tij kryebashkiaku ka paguar 221 mijë dollarë për lobim në SHBA. Lobimi në fakt është vetëm një pjesë e kontratës me të njëjtën kompani që ka marrë përsipër edhe mbrojtjen ligjore të kryebashkiakut.

“Jemi vënë në dijeni për një fushatë lobimi të shtetasit Erion Veliaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një fond financimi rreth 221 mijë dollarë”. – dëgjohet mes të tjerash, të shprehet prokurori Dado.

“Në gjykimin tonë kjo fushatë lobimi e cila ka shkuar deri në nivelet më të larta politike administrative të Shteteve të Bashkuara nuk përbën një mbrojtje juridike për veprimtari të funksionit politik, synon deligjitimimin e organeve që po gjykojnë aktualisht çështjen dhe tregon vullnetin e të pandehurit për të shmangur procesin penal. Pra mbrojtja nga procesi penal dhe jo mbrojtja në procesin penal duket se është synimi kryesor I të pandehurit Erion Veliaj gjatë këtyre muajve të hetimit paraprak por dhe të gjykimit në seancë paraprake”,- vijon më tej ai.

Madje Dado shkrimin në media që i referohet, e depoziton si provë në gjykatë.

Duke e çuditshme se si prokurori i SPAK pretendon se kjo është një arsye për ta lënë në burg Erion Veliajn. Nuk kuptohet se si lidhet e drejta për lobim apo mbrojtje ndërkombëtare e kryebashkiakut me faktin se ai duhet të qëndrojë në arrest me burg.
Në seancën e 1 shkurtit Veliaj nuk iu ndryshua masa e sigurisë, ndonëse ai vuri në dispozicion të gjykatës çdo masë tjetër më të lehtë, me argumentin se nuk ka rrezik për prishjen e provave, pasi çështja ka kaluar në gjykatë.