Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, këtë të martë nga qelia ka shprehur urimin e tij për Pavarsinë e Kosovës. Veliaj shkruan se 17 Shkurti është një kujtesë e fuqishme dhe se liria kërkon sakrificë dhe qëndresë.

Ai është shprehur gjithashtu për luftëtarët e UÇK-së dhe shpreh shpresën për drejtësi në procesin gjyqësor ndaj tyre.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë!

17 Shkurti nuk është thjesht një datë – është kujtesë se LIRIA nuk dhurohet, por fitohet me sakrificë, me qëndresë dhe besim. Sot, më shumë se kurrë, Kosova meriton të festojë me kokën lart: për të gjithë ata që luftuan dhe për çdo të ri që rritet me flamur e dinjitet.

E në këtë ditë, nuk mund të mos mendojmë edhe për ata që luftuan në betejë që Kosova të jetë e lirë – drejtuesit e UÇK-së. Ende shpresoj se procesi i tyre do të përfundojë me drejtësi dhe me kthimin e secilit në shtëpi, në respekt të së vërtetës, historisë dhe lirisë së Kosovës.

Gëzuar Kosovë – qofsh gjithmonë e lirë!”, ka shkruar Veliaj.