Tension dhe debate të ashpra kanë shoqëruar seancën e radhës për dosjen “Metamorfoza”, ku Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar thirrjen e 40 dëshmitarëve në gjyq për akuzat e rënda që lidhen me veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal.
Prokurorët kërkojnë marrjen në pyetje të dëshmitarëve për vrasjen e Gjin Boriçit në gusht 2020 si dhe për sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjes ndaj Kleanthi Musabellit, akuza që sipas SPAK janë realizuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Debati më i fortë në sallë u përqendrua te komunikimet e aplikacionit SKY ECC dhe mospërputhja e pretenduar e orareve të bisedave me kohën e vrasjes së Gjin Boriçit.
Ish-kreu i SPAK, Arben Kraja, deklaroi se orari i serverave të SKY ECC nuk përputhet me orën lokale, duke hedhur poshtë pretendimet për manipulim të kohës së komunikimeve.
Nga ana tjetër, avokati Gurali Brahimllari, që përfaqëson biznesmenin P. Gj, akuzoi prokurorinë për manipulim të procesverbalit. Sipas tij, procesverbali i Gjokës është spostuar dhe provat janë deformuar.
Sakaq, seanca u shty pasi avokatët kërkuan kohë për t’u njohur me përmbajtjen e plotë të provave dhe materialeve të paraqitura nga prokuroria.
Në këtë proces, po gjykohen edhe Behar Bajrovic dhe Edmond Preka.
Procesi po zhvillohet me gjykim të zakonshëm, ndryshe nga pjesa e krimeve më të lehta të dosjes “Metamorfoza”, që u trajtua më herët me gjykim të shkurtuar. Seanca e radhës pritet të rikthejë përplasjen mes palëve, në një nga proceset më të bujshme të viteve të fundit për krimin e organizuar në vend.




















