Sali Berisha shpalli në mitingun e fundit kombëtar të PD-së se ky është kilometrik i fundit i Edi Ramës. E cila në realitet është një metaforë më shumë se një përballje numrash e faktesh.
Megjithatë deri dje ka pasur si diskutim që skenarët e protestave të opozitës do të kthehen në ngujime para kryeministrisë. Sipas modeleve çadër, grevë urie apo edhe rezistencë maratonë.
Në fakt nuk ndodhi asgjë nga kjo, pasi protokolli i protestës ishte pak a shumë i njëjti, me korrektimet përkatëse, që mund të lëvizin në mjetet piroteknike. Në thelb, protesta solli marshimin monoton apo të zakonshëm të ushtrisë politike që komandon Sali Berisha.
Një ushtri e cila është me numra gjithnjë e më e vogël, në organizim, gjithnjë e më e pa kuadratuar, e në objektiva gjithnjë e më e paqartë.
Ndërkohë, qershia e kalbur mbi tortën e ndenjur të protestës është ikja e gjeneralit të ushtrisë me Mercedesin e zi sapo mbaroi fjalimin, duke lënë ushtarët në skenarin e lëndëve piroteknike.
Pse gjenerali nuk e udhëheq ushtrinë? Sepse marshimi në realitet nuk është një betejë, por një bllof. Në fakt edhe marshimi mbi Romë ishte një bllof, por në fund, Musolini u bë kryeministër. Siç qe edhe bllofi i dhjetorit 1991, kur Sali Berisha kërcënoi me marshimin e madh. Që më pas ka qenë gjithmonë parodi, edhe pse në disa raste si më 14 shtator 1998 apo më 21 janar 2011 u kthye në një tragjikomedi./TemA




















