Lezha përkujtoi 582-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë, aktin historik të bashkimit për të luftuar kundër regjimit otoman.
Kjo datë e rëndësishme e 2 marsit 1444 mblodhi në qytetin historik autoritete nga të gjitha trevat shqipfolëse, si dhe një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia.
Veprimtaritë nisën me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhe pranë Obeliskut të Besëlidhjes. Më pas, të pranishmit vijuan me ecjen simbolike “Në gjurmët e historisë” drejt sheshit “Gjergj Kastrioti”, në nderim të vizionit që lindi në këtë qytet.
Aktiviteti në nderim të Besëlidhjes së Lezhës u përshëndet gjithashtu nga përfaqësues të Qeverisë Shqiptare dhe autoritete nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Veprimtaritë në përkujtim të 582-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës vijuan në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku të pranishmit vizituan panairin e artizanatit dhe ndoqën një koncert muziko-letrar në nderim të figurës së Gjergj Kastriotit, duke e kthyer këtë datë në një festë të unitetit dhe identitetit kombëtar.




















