Gjatë protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike, e cila u shoqërua me tensione dhe akte dhune, kanë mbetur të lënduar 6 punonjës policie.
Policia e Shtetit ka dënuar dhunën përmes një njoftimi zyrtar, ku bën me dije se gjendja e efektivëve të lënduar është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë tubimit, Policia thotë se u ka bërë thirrje pjesëmarrësve disa herë që të shmangin aktet e dhunës dhe sulmet ndaj efektivëve me molotov dhe mjete piroteknike, por sipas saj, një pjesë e protestuesve nuk i janë bindur thirrjeve.
Reagimi i plotë i Policisë:
Gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, i cili u përshkallëzua në akte dhune ndaj forcave të rendit, u lënduan 6 punonjës policie.
Të dëmtuarit, përkatësisht efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT. Gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Policia e Shtetit, gatë tubimit u bëri thirrje, nëpërmjet Qendrës së Zërit, pjesëmarrësve në tubim të mos ushtronin akte dhune dhe të mos sulmonin punonjësit e Policisë me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, por një pjesë e pjesëmarrësve sulmuan punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit kishte marrë masa për ruajtjen e institucioneve, rendit dhe sigurisë publike dhe mbetet tërësisht e angazhuar, për të garantuar ushtrimin e së drejtës qytetare për të protestuar.
Njëkohësisht, dënon me forcë aktet e dhunës së përsëritur ndaj punonjësve të Policisë në krye të detyrës, si dhe ndaj institucioneve shtetërore.




















