Nga Mariglen Kasmi
Në këto vitet e tranzicionit të gjatë allashqiptarçe janë krijuar disa zakone në sjelljen politike. Një prej tyre është edhe roli publik që kanë marrë ambasadat e vendeve europiane në debatet e brendshme politike shqiptare. Ngacmimin për të shkruar këtë qëndrim ma përforcoi edhe shkrimi i mikut tim Ilir Yzeiri në gazetën Tema me titull “Ambasadorët, Europa dhe komunizmi që nuk e pamë kurrë”, ditën e djeshme, më 12 mars 2026.
Analiza e z. Yzeiri ishte interesante pikërisht sepse e shtroi këtë çështje në një plan më të gjerë. Ai nuk u ndal te një episod i vetëm, por te modeli që është krijuar ndër vite në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe përfaqësuesve diplomatikë të vendeve perëndimore. Në thelb, analiza e tij sugjeron se shqiptarët rrezikojnë të mbeten në një gjendje të përhershme pritjeje, ku Europa shfaqet më shumë si horizont moral sesa si projekt politik me afat, ndërsa ambasadorët shfaqen gjithnjë e më shpesh si komentues të jetës sonë të brendshme politike.
Sikurse them qysh në rreshtin e parë të këtij shkrimi, reagimet publike të ambasadave perëndimore për zhvillimet tona të brendshme, qofshin ato parlamentare, gjyqësore e politike, janë bërë diçka e zakonshme. Pikërisht këtu qëndron thelbi i asaj çka më bëri përshtypje kur lexova reagimin në rrjetet sociale të ambasadës gjermane e britanike, ku bënin thirrje për “moskrijimin e pengesave politike për ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta të pushtetit”. Pa aspak frikë nga “akuza e plagjiaturës”, qëndrimi i tyre u mor tëpkë edhe nga ambasada të tjera. Ashiqare kuptohet që deklaratat bazoheshin në votimin e djeshëm në Parlament, ku maxhoranca votoi kundër heqjes së imunitetit të ish-Zv./kryeministres e ish-ministres Balluku.
Të jem i qartë, nuk më “prishi terezinë” fakti që ambasadat europianoperëndimorë mbajnë qëndrime ndaj korrupsionit – këtu jam tërësisht dakord me ta – por te mënyra se si këto qëndrime artikulohen gjithnjë e më shpesh publikisht. Në vend të komunikimit diplomatik, institucional e të rezervuar, shohim deklarata të shpejta që hyjnë menjëherë në vorbullën e debatit të brendshëm politik. Pra, të krijohet përshtypja se ato i drejtohen opinionit publik dhe jo qeverisë. Vetiu lind pyetja, përse është e nevojshme për ta kjo gjë? Për të shtuar edhe më tej çoroditjen brenda debatit ekstrem politik e të pashtershëm shqiptar?
Reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj ambasadave gjermane dhe britanike e bëri këtë tension edhe më të dukshëm. Natyrisht, përgjigjja e tij kishte edhe dimensionin e saj politik të momentit. Ajo mbronte një vendim të shumicës dhe njëkohësisht i dërgonte elektoratit të vet mesazhin se qeveria nuk pranon të gjykohet përmes presionit publik të aktorëve të jashtëm. Por përtej interesit të ditës, reagimi i kryeministrit Rama ishte interesant sepse nxori në sipërfaqe pikërisht një tension që ekziston prej kohësh. Kur kryeministri i një vendi u përgjigjet publikisht ambasadave për deklaratat e tyre publike, kjo do të thotë se marrëdhënia ka dalë nga terreni klasik i diplomacisë dhe është zhvendosur në një fushë tjetër, ku aktorët ndërkombëtarë bëhen pjesë e debatit të brendshëm politik.
Këtu me të drejtë lind pyetja: A ka ardhur koha që ambasadat e shteteve europiane në Shqipëri t’i kthehen diplomacisë klasike dhe të heqin dorë nga reagimet publike?
E që të qetësohet ndonjëri syresh, që mund të rreket ta shohë këtë shkrim si shërbim ndaj Edi Ramës – se deri këtu kemi arritur si shoqëri – duhet thënë që në fillim se pyetja që shtrohet këtu nuk është aspak kundër ambasadës gjermane apo britanike, e aq më pak anti-europiane. Unë që po shkruaj kam bërë dy arsimime të larta në Gjermani. Tetë vjet. Me paratë e taksapaguesve gjermanë.
Përkundrazi! Ajo lidhet me nevojën që marrëdhënia mes Shqipërisë dhe partnerëve të saj të hyjë në një fazë më të pjekur. Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e BE dhe nuk mund të mbetet pafundësisht në rolin e nxënësit që pret notën publike të mësuesit. Po ashtu, edhe diplomacia europiane rrezikon të humbasë seriozitetin e saj nëse shndërrohet në një komentues të përditshëm të zhvillimeve politike të një vendi kandidat.
Diplomacia klasike funksionon mbi disa parime të thjeshta: diskrecion, verifikim informacioni dhe komunikim institucional. Në shumë raste ajo është më efektive pikërisht sepse nuk zhvillohet para publikut. Kurse reagimet e shpejta në rrjetet sociale e vendosin diplomacinë në të njëjtin ritëm me debatin mediatik dhe politik të ditës. Po hyre në këtë ritëm është e vështirë të ruash distancën që kërkon vetë roli diplomatik.
Këtu ka edhe një problem tjetër, ndoshta edhe më serioz. Ai lidhet me cilësinë e informacionit mbi të cilin ndërtohen shpesh këto reagime publike. Shqipëria ka një mjedis mediatik shumë të polarizuar. Po ashtu, shohim që opinioni publik krijohet nga një grusht i caktuar njerëzish, të cilët ndërrojnë studiot çdo mbrëmje. Narrativat politike ndërtohen shpejt, interesat maskohen si kauza morale dhe gjykimet publike paraprijnë shpesh proceset institucionale. Në një realitet të tillë, rreziku që një aktor i jashtëm, sikurse ambasadat e huaja të ushqehen me informacion të pjesshëm ose të njëanshëm është real.
Në një klimë kaq të polarizuar informacioni, një reagim i nxituar mund të përthithë pa dashje narrativat e një pjese të debatit politik. Në këtë mënyrë, ajo çka synohet të jetë një qëndrim parimor diplomatik mund të përfundojë duke u përdorur për konsum të brendshëm politik nga kundërshtarët e qeverisë, qofshin ata politikë, mediatikë e personalë të kryeministrit Rama. Çdo deklaratë e ambasadave të huaja merret menjëherë nga aktorët politikë, riciklohet në studio televizive dhe shndërrohet në argument të konfliktit të brendshëm politik. Kësisoj, pa dashur, diplomacia bëhet pjesë e këtij konflikti. Po hyre në këtë lojë është shumë e vështirë të ruash neutralitetin që kërkon vetë roli diplomatik.
Në fund të fundit, problemi nuk është as me Gjermaninë, as me Britaninë dhe as me vendet e tjera partnere. Problemi është me modelin që është krijuar në Shqipëri gjatë viteve të tranzicionit. Ky model ka prodhuar një lloj tutorie publike që nuk i bën mirë askujt. Nuk i bën mirë Shqipërisë, sepse dobëson refleksin e përgjegjësisë së brendshme të politikës. Por nuk i bën mirë as vetë diplomacisë europiane, pasi e ekspozon atë ndaj dyshimeve për njëanshmëri dhe e fut në debate, që në thelb nuk i përkasin asaj.
Diplomacia është më e fortë kur zhvillohet në tavolina diplomatike dhe jo në ritmin e debateve të përditshme politike të rrjeteve sociale. Debate politikë që bëhen kudo, prej kujtdo e gjithë ditën e perëndisë, deri në darkë vonë. U lodhëm!
Ndaj, të nderuar ambasadorë, përdorni diplomacinë klasike për qëndrimet e vendeve tuaja dhe na kurseni tri ditë-mbrëmje debat publiko-politik shtesë të ushqyer nga ju, me apo pa dashje. Them tri ditë, pasi dihet që në Shqipëri “çudia më e madhe tri ditë zgjat”. Por ajo më e madhja ama!




















