Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin, nuk është arritur një marrëveshje për postin e presidentit, teksa po afrohet afati kushtetues për zgjedhjen e tij.
“S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja adekuate për LDK-në”, tha Abdixhiku për mediat, pas takimit në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se është i hapur për një takim të radhës nëse kjo do të sillte një zgjidhje, por u shpreh skeptik për propozimin që secila parti të shkojë në seancë me një propozim të vetin.
“Për garë, LDK-ja nuk ka zgjidhje. Ajo është procedurë e paraparë për të dështuar”, tha Abdixhiku, duke shtuar se ky opsion do të sillte vetëm zgjedhje të reja, përcjell A2.
Ai nuk pranoi të flasë për emrat specifikë të të përmendurëve deri më tani, por tha se LDK-ja nuk pranon emra që do të funksionin si “zgjatim i qeverisë”.
Takimi u zhvillua në një moment kur partitë politike ende nuk kanë arritur konsensus për një figurë unifikuese, ndërsa kreu i Qeverisë ka lënë të hapur mundësinë që, në mungesë të marrëveshjes, secila parti të kandidojë emrin e vet në Kuvend.
Para takimit, Kurti s’pranoi të diskutojë për emrat e përmendur për postin e presidentit, duke thënë vetëm se “duhet dikush që i siguron 80 vota”.




















