Në fjalën e tij para Asamblesë së Partisë Socialiste, Edi Rama paralajmëroi përgjegjësi dhe kompetenca shtesë për prefektët e 12 qarqeve të vendit.
Gjithashtu, ai tha se Shqipëria ka nisur të fuqizojë mekanizmin e mbrojtjes nga zjarret me zjarrfikëse të prodhuara në vendin tonë, risi e cila do të vazhdojë.
“Prefektët do të marrin një fuqi tjetër, është bërë projekti dhe kështu ata në territor nuk do të jenë njerëzit që rrijnë e firmosin vendimet e këshillit bashkiak. Prefektët do të jenë zëvendësministrat e brendshëm në territor dhe do të jenë një mbështetje shumë e fortë e qeverisë dhe e komunitetit në funksion të atyre gjërave që komuniteti dhe bashkitë sot kanë nevojë. Po vazhdojmë të fuqizojmë emergjencat civile, po shtojmë flotën e zjarrfikësve, duhet t’i prodhojmë zjarrfikëset në Shqipëri, kemi nisur tonën të ngritur jo shumë kohë më parë. Jo vetëm zjarrfikëset, por të gjitha mjetet e inspektimet, pra që nuk janë vetëm për shërbime të ndryshme, ne do t’i prodhojmë në Shqipëri. Kemi filluar hap pas hapi të bëjmë produktet e para dhe të fillojmë t’i prodhojmë këtu. Ndërkohë zoti Demo ka angazhuar një fond që t’u vijë në ndihmë pothuajse të gjitha bashkive në Shqipëri për emergjenca civile, për mjete të reja”,- tha Rama.
Kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama u bëri thirrje socialistëve që në komunikimin publik të theksojnë sa më shumë rezultatet pozitive të qeverisjes së PS-së. Numri një i ekzekutivit pretendon se në zgjedhjet që zhvillohen në shqipëri, marrin pjesë 80% e zgjedhësve dhe jo 40%, siç thuhet në shifrat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas Ramës, zgjedhës quhet ai që jeton në Shqipëri dhe jo ai që thjeshtë figuron si shtetas me të drejtë vote.
“Dua të them që të gjithë duhet të bëhen pjesë e narrativës së kësaj periudhe, kështu që në ndryshim nga sot fillojmë një fushatë të rifilluar brenda Partisë Socialiste, për Partinë Socialiste, në funksion të njerëzve, për të gjitha qëllimet që ndodhen te njerëzit. Në fund të kësaj pjese, dua të bëj tre reflektime të para për çfarë bëmë këtu. Është mirë t’u mësojmë njerëzve për një gjë të thjeshtë që Shqipëria nuk merr pjesë 44%, në Shqipëri nuk ka rënie interesi për të votuar. Në Shqipëri marrin pjesë 80% e zgjedhësve, sepse zgjedhësit janë ata që ndodhen këtu dhe jo ata që gjenden në listë dhe janë diku tjetër”,- tha Rama.




















