Rregullatori i sigurisë në internet i Australisë ka paralajmëruar për sanksione kundër gjigantëve të teknologjisë përfshirë TikTok, Instagram dhe YouTube të cilët i akuzon për shkelje të ndalimit të vendit për aksesin në mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Mediat e huaja shkruajnë se, Australia në dhjetor u bë vendi i parë në botë që ua ndaloi fëmijëve nën 16 vjeç aksesin në mediat sociale me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet negative që ato kanë në shëndetin e tyre mendor.
Pastaj vende të tjera ndoqën shembullin, si Indonezia ose Brazili. Tre muaj pasi u fut ndalimi, rregullatori i sigurisë në internet i Australisë vuri në dukje se më shumë se 5 milionë llogari që u përkisnin përdoruesve të mitur ishin fshirë. Megjithatë, eSafety vuri në dukje gjithashtu se “një përqindje e madhe e fëmijëve” ende kanë qasje në platformat e ndaluara dhe shprehu “shqetësim të madh” në lidhje me Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe YouTube.
“Nëse këto kompani duan të operojnë në Australi, ato duhet të zbatojnë ligjet australiane”, theksoi ai. Autoritetet australiane do të vendosin për çdo sanksion deri në mesin e vitit 2026. Kompanitë e mediave sociale të prekura nga ky ndalim përballen me gjoba deri në 25 milionë euro nëse shpallen fajtore për shkelje të ligjit australian.
Zbatimi i këtij ndalimi po monitorohet nga afër në të gjithë botën, veçanërisht nga vendet që kërkojnë të miratojnë kufizime të ngjashme. Brazili ka lidhur llogaritë e përdoruesve të mitur me ato të prindërve të tyre që nga marsi, ndërsa disa vende evropiane po shqyrtojnë miratimin e kufizimeve, siç është Franca, ku një ndalim i mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç po diskutohet aktualisht në Senat. Indonezia javën e kaluar ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, domethënë për 70 milionë të mitur.
Në Australi, gjigantët e internetit janë plotësisht përgjegjës për konfirmimin se përdoruesit e tyre janë mbi 16 vjeç. Shumica e kompanive janë zotuar të respektojnë ligjin, por kanë paralajmëruar se kjo mund t’i shtyjë adoleshentët drejt platformave të tjera, më të rrezikshme dhe të parregulluara.Ata gjithashtu duhet të provojnë se kanë ndërmarrë “hapa të arsyeshëm” për të përjashtuar përdoruesit e rinj, megjithëse ende nuk është e qartë se si do ta interpretojë qeveria australiane këtë kërkesë.
Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, tha se ishte një “sfidë në të gjithë industrinë” për të vërtetuar me saktësi moshën e përdoruesve. Kompania i tha AFP-së se do të “vazhdonte të investonte në masa për të zbuluar dhe hequr llogaritë që u përkasin përdoruesve nën 16 vjeç”. Platforma Snapchat siguroi AFP-në se është “plotësisht e angazhuar për të zbatuar masat e arsyeshme të parashikuara nga ligji” dhe deri më sot ka mbyllur 450,000 llogari. TikTok tha se nuk dëshironte të komentonte, ndërsa YouTube nuk iu përgjigj një kërkese për koment.




















