Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pranoi dje zyrtarisht ndryshimin e përfaqësimit ligjor të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Avokati i tij, Plarent Ndreca, në një intervistë për News24, hodhi poshtë pretendimet për konflikt interesi, duke theksuar se nuk është thirrur asnjëherë nga SPAK për t’u marrë në pyetje në lidhje me këtë çështje.
Sipas tij, angazhimi për të përfaqësuar Veliajn është një vendimmarrje e natyrshme, duke qenë se ata njihen prej kohësh në aspektin politik dhe profesional. Ndreca bëri me dije se është ngarkuar zyrtarisht për mbrojtjen në themel të çështjes rreth dy javë më parë. Ai sqaroi se seanca e fundit gjyqësore nuk u zhvillua për shkak të mungesës së palëve të tjera, ndërsa theksoi se si ai, ashtu edhe klienti i tij, ende nuk janë njohur plotësisht me aktet e dosjes.
“Ishte vendimi i duhur ligjor. Kërkesa e prokurorëve ishte e pabazuar, pasi nuk kisha dëshmuar për këtë çështje dhe nuk ka konflikt interesi. Unë dhe Veliaj njihemi si bashkëpunëtorë politikë, vendimmarrja për ta përfaqësuar ligjërisht erdhi natyrshëm. Kam qenë edhe më herët avokat i z. Veliaj. Dje procesi nuk u zhvillua për shkak të mosprezencës së dy palëve të tjera. Unë jam ende i panjohur me aktet, por edhe z. Veliaj nuk është njohur mirë me aktet. Nuk duhet të mbetet një proces formal. Kushtetuta garanton që çdo person nën akuzë duhet të ketë kohën dhe mundësinë e nevojshme për një mbrojtje efektive”, u shpreh Ndreca.
Ai ngriti pikëpyetje edhe mbi përgatitjen e një volumi të madh dokumentesh në një kohë shumë të shkurtër.
“Si kanë arritur të fotokopjojnë për më pak se 12 orë 60 mijë faqe… ne nuk e kuptojmë.”, tha Ndreca në një tjetër intervistë.
Sipas tij, kjo situatë lë vend për dyshime serioze: “O këta e kanë ditur se çfarë vendimi do marrë gjykata paraprakisht, ose është vënë në dispozicion e gjithë sekretaria e SPAK për të punuar të gjithë së bashku.”
Ndreca foli edhe për mënyrën e dorëzimit të materialeve, duke e cilësuar të parregullt: “Kanë shkuar në qeli, pa njoftuar avokatin dhe i kanë thënë ‘ndaç merri, ndaç mos i merr’.”
Ai theksoi se këto veprime tregojnë një qasje problematike: “Kjo nuk është sjellje e një institucioni që vepron sipas rregullave… por e disa individëve që kanë thyer rregullat e paraburgimit, sepse kanë shkuar në qeli ku nuk lejohet askush të hyjë”
Sipas tij, të gjitha këto elemente krijojnë perceptimin për një proces të nxituar: “Unë mendoj që në këtë pikë, këto janë tregues të një nxitimi, i cili nuk ka për qëllim për ta bërë këtë çështje të drejtë, por ka për qëllim për të bërë një statistikë të radhës dhe për të ndërtuar një fitore pa filluar akoma loja.




















