Policia Bashkiake, nën drejtimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, ka ndërmarrë një aksion të menjëhershëm në zonën e ish-Bllokut për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme nga disa biznese. Gjatë kontrollit në terren, u konstatua se subjekte të ndryshme kishin zaptuar hapësirat publike duke vendosur karrige, tavolina dhe elementë të tjerë pa respektuar rregullat dhe kufijtë e përcaktuar. Si pasojë, strukturat e Bashkisë së Tiranës ndërhynë menjëherë duke i hequr dhe sekuestruar këto pajisje.

Sulaj theksoi se hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet t’u shërbejnë qytetarëve, jo të zihen në mënyrë abuzive nga subjekte të caktuara.

“Sot ne kemi filluar një aksion në të gjithë Tiranën ku do të shikojmë të gjithë ata të cilët kanë abuzuar me hapësirat publike. Ne jemi të gjithë pro biznesit pro zhvillimit të qytetit tonë por duam që të gjithë te jenë me kushte të barabarta. Në rast se do të gjejmë shkelës të cilët nuk paguajnë hapësirën që zënë, policia bashkia do të marrë karriget dhe tavolinat e të gjithë objektet që ata kanë vendosur mbi këtë hapësirë publike. Hapësirat publike janë të qytetarëve të Tiranës dhe të të gjithë të tjerëve të cilët duam të jetojmë të gjithë bashkë në këtë qytet. Ju bëjnë thirrje të gjithë bizneseve të cilat duhet të kenë shumë kujdes me shfrytëzimin e pa masë të hapësirave publike. U themi të gjithë qytetarëve të na adresohen në rast se shikojnë që ka abuzime të mëdha me zënien e hapësirave publike” u shpreh Sulaj.