Analisti Edvin Kulluri, i ftuar në News24 ka hedhur kritika të forta ndaj zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, duke akuzuar lidershipin aktual për mungesë të theksuar të demokracisë së brendshme.

Duke iu referuar situatës në PD dhe përjashtimeve të fundit, Kulluri u shpreh se kreu i partisë Sali Berisha po dëmton vetë opozitën.

“Berisha sot është njeriu që i bën më shumë dëm opozitës. Të përjashtosh anëtarë kryesie apo këshilltarë bashkiakë në këtë moment është papërgjegjshmëri totale,” deklaroi ai.

Ai u ndal edhe te situata e ish-deputetit Ervin Salianji, duke theksuar se ai e ka të pamundur të hyjë në garën për kryetar të PD-së për shkak të mungesës së një procesi real zgjedhor.

“Sot në PD nuk ka garë. Nuk ka lista anëtarësie, nuk ka rregulla loje. Është shpikur edhe një term absurd si ‘vetëpërjashtimi’, ndërkohë që Salianji nuk është vetëpërjashtuar nga askund,” u shpreh Kulluri.

Sipas tij, frika kryesore e Berishës lidhet me mundësinë që Salianji të marrë mbështetje të konsiderueshme brenda partisë.

“Nëse Salianji merr edhe 30% të votave, i prish mitin e të pathyeshmit,” shtoi analisti.

Kulluri përfundoi duke theksuar se mungesa e konkurrencës reale dhe përjashtimet e brendshme po dëmtojnë seriozisht funksionimin e opozitës dhe besimin e elektoratit.