Nga Skënder Minxhozi

Nëse do të njohësh një vend shko e shih varrezat e tij. Kjo është një shprehje e vjetër aksiomatike e ofruar në formën e një këshille për cilindo që kërkon të njohë shpejt dhe pa harxhuar kohë dhe shojet e këpucëve një vend çfarëdo. Në kontekstin e sotëm të një vendi si ky i yni, i cili lufton ende për të dalë nga këneta plot gropa thithëse e tranzicionit, sfidat janë të panumërta dhe të të gjitha formave e përmasave. Megjithatë 36 vjet pas rënies së komunizmit ka një mënyrë për të distiluar dhe tkurrur në palcë tabelën e halleve shqiptare. Nuk ka nevojë të shkosh në Sharrë apo Shishtufinë.

Mjafton të verifikosh dy aspekte që kanë të bëjnë jetën e përditshme, madje janë në një farë mënyre thelbi i saj: mallrat ushqimore dhe karburanti që përdorim. Dikur, në mesin e dekadës së shkuar, i thanë një ministri të sapozgjedhur socialist se nëse qeveria e tij do të arrinte t’i ofronte shqiptarëve naftë cilësore dhe ushqim të kontrolluar e me cilësi të lartë, jeta në Shqipëri do ndryshonte si nata me ditën. Natyrshëm përgjigja e ministrit qe pohuese, pasi e tillë ka qenë qasja e të gjithë minstrave kryeministrave, deputetëve e maxhorancave që nga dita e parë e pluralizmit shqiptar.

Ja pra që kanë premtuar në boshllëk që të gjithë. Thënë ndryshe, kanë premtuar por e kanë shkelur rregullisht premtimin. Jemi vendi me karburantin më të keq dhe më të shtrenjtë në rajon. Jemi gjithashtu vendi ku ushqimi kushton gjithashtu shtrenjtë, po aq sa në Greqi e shumë më tepër se në Maqedoni e Kosovë dhe që është më pak i kontrolluar dhe me standarte se i fqinjëve që na rrethojnë. Thënë me fjale të tjera, paguajmë më shumë që të ushqehemi më keq dhe që të drejtojmë automjete që na sëmurin me gazrat që nxjerr nafta e përzier me ujë a Zoti e di çfarë tjetër!

Kjo është një situatë që nuk ka ndonjë lidhje me luftën aktuale. Është normaliteti ynë i përditshëm, jo emergjenca jonë. Është një bashkëjetesë nga halli të cilën e kemi pranuar si shumë sfida të tjera gjatë shtegut të tranzicionit. Është një pranim në heshtje, një vetëdorëzim i cili nga politika trajtohet me nënqeshjen cinike të atij që e di qysh në krye të herës se në një protestë për çmimin e naftës do te dalin vetëm katër veta tek Kryeministria.

Në një hark kohor prej diçka më shumë se pesë vitesh kemi kaluar dy luftra dhe një pandemi. Që të gjitha me pasoja të rënda në ekonominë botërore. Patjetër dhe në ekonominë e brishtë dhe defektoze shqiptare. Brenda pesë vitesh kemi parë sesi mallrat e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm më shpejt dhe më thellë sesa rritja e pagave e pensioneve. Kemi parë sesi nafta preku 2600 lek litrin para tre viteve, ashtu siç ka gjasa të ndodhë sërish së shpejti nëse një luftë idiote e nisur nga verbëria e jo nga vizioni, nuk i ul pushkët dhe topat. Jemi mësuar gradualisht që çmimet në dyqanin e lagjes ta tejkalojnë takatin e kuletës që mbajmë në xhep. Jemi mësuar edhe që naftën ta blejmë kur mundemi në shtetin tjetër, pasi ky i yni megjithëse pret çdo ditë anije e cisterna të mbushura me naftë, ka vendosur ta mbajë çmimin aty ku një amerikani do t’i binin syzet nga habia, po ta shihte tabelën e benzinatës në breg të Lanës. Jemi ndër më të varfërit në Evropë, por për nga të ardhurat, jo për nga çmimet!