Ata shkruajnë, pra ekzistojnë.

Të qenët “online në mënyrë kronike” është një frazë që përshkruan një kategori mjaft specifike njerëzish, marrëdhënia e të cilëve me realitetin është e strukturuar thuajse plotësisht nga interneti. Nuk nënkupton dikë, i cili shpenzon më shumë kohë seç duhet online, por njerëz për të cilët hapësira e rrjetit është kthyer në terrenin parësor ku zhvillohet jeta. Zakonisht i referohet brezave më të rinj – kryesisht gjeneratëss Z dhe pak më pak millennials – të cilët praktikisht janë rritur brenda arkitekturës së njoftimesh, pëlqimeeve e komenteve, ku nëse nuk vlerësohesh nga algoritmi, ti je praktikisht i padukshëm. Kjo pasi të rinjtë kanë kohën e mjaftueshme për ta shpenzuar online, duke zotëruar kështu edhe gjuhën e kësaj bote, por njëkohësisht ndoshta edhe brishtësinë e nevojshme për t’u shkrirë brenda saj.

Por, mjafton të kalosh pak orë çdo ditë në mediat sociale dhe do të kuptosh se në Shqipëri ka ndodhur diçka pak më e pazakontë.

Brezi që sipas të gjitha pritshmërive sociologjike supozohet të jetë më pak online – ata mbi 50 vjeç, prindërit dhe gjyshërit e shumëkujt – janë ndër përdoruesit më të palodhur të mediave sociale. Facebook-u në veçanti ka marrë për ta rolin e një hapësire qytetare, e ngjashme deri diku me Twitter-in e viteve 2007-2014, ndonëse shumë më banale. Tani, vetë mbijetesa e Facebook-ut si platformë sociale nga vitet 2020 e mbrapa përbën një kuriozitet sociologjik më vete. Mes të rinjve ai shihet herë si diçka komike e herë si një sit arkeologjik, por Facebook u krijua – dhe kjo vlen të mbahet mend – mbi idenë e fjalës së shkruar. Statuset, shënimet dhe monolgjet e pakërkuara e shpesh të panevojshme nuk i adresoheshin askujt në veçanti e për rrjedhojë të gjithëve. Ndaj, nuk është rastësi që gjenerata e shqiptarëve mbi 50 vjeç është prirur më tepër ndaj këtij rrjeti social sepse shumica e tyre janë njëerëz për të cilët gjuha mbart ende peshën e dikurshme, të bindur se një mendim që nuk shkruhet nuk mund të klasifikohet as si i tillë.

Dhe kështu ata shkruajnë. Shkruajnë për gjithçka. Nga urimet solemne të ditëlindjeve, tek opinionet rreth politikës, BE-së, Zotit dhe imoralitetit të brezit të ri. Shkruajnë në mesnatë dhe në gjashtë të mëngjesit. Shkruajnë e shkruajnë e shkruajnë, sikur muri i Facebook-ut të jetë i fundit mur që mbetet në këmbë dhe që, nëse do të ndaleshin, ai do të shembej e kthehej në pluhur përgjithmonë.

Megjithatë, ajo që bie në sy dhe që ndoshta duhet të na shqetësojë të gjithëve, nuk është ajo çfarë shkruajnë – që shpesh është banale siç rrezikon të jetë i tillë çdo komunikim i sinqertë – por gjendja e alarmit që përcjellin përmes tyre. Duket sikur prindërit dhe gjyshërit tanë janë përjetësisht të alarmuar qysh nga lindja. Politikanët janë hajdutë (por kjo ka qenë gjithnjë e vërtetë dhe për të është shkruar gjithmonë. Në varësi të javës, Europa është aty për të na shpëtuar përgjithmonë ose për të na shkatërruar një herë e mirë. Tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe skandalet përcillen me të njëjtën urgjencë dhe dëshpërim, a thua se çdo njëra prej tyre – sado të përsëritura – do të konfirmojë atë që e kanë dyshuar qysh në mes të viteve 1990: se situate është e keqe dhe vetëm do të përkeqësohet dhe dikush duhet ta dëgjojë këtë.

Është e lehtë, dhe në shumicën e rasteve e këshillueshme, që ta injorosh të gjithë këtë. Interneti e ka patur gjithmonë dhuntinë e amplifikimit të alarmit… Tek e fundit, ai është në thelb një makineri e programuar për këtë punë dhe ata të cilët kanë nisur ta përdorin vonë, janë natyrisht më të ndjeshëm ndaj arkitekturës emocionale të internetit dhe rrjeteve sociale, pikërisht sepse nuk kanë patur kohë për të krijuar imunitetin e nevojshëm emocional. Atyre iu mungojnë mekanizmat mbrojtës dhe distancimi ironik i adoeleshentëve, apo refleksi për të injoruar shumicën e përmbajtjes që të sugjerohet online dhe që, ata të cilëve rrjeti iu ka “bërtitur” në fytyrë qysh fëmijë e kanë fituar tashmë. Për prindërit dhe gjyshërit, çdo panik është paniku i parë. Algoritmi, i cili nuk ka as kujtesë dhe as mëshirë, i ushqen me atë përmbajtje që i bën të reagojnë dhe ajo çka i bën të reagojnë është frika, e cila prodhon më shumë shkrime, të cilat iu sugjerohen më shumë njerëzve, duke iu krijuar në fund iluzionin se nuk janë të vetëm në terrorin e tyre. Dhe ndoshta me të drejtë.