Nga Giuseppe Sarcina, Corriere Della Serra
Donald Trump njofton se fundi i luftës me Iranin është pranë. Por ndërkohë që flet për fitore, ai po përgatit terrenin për t’u tërhequr, duke ia kaluar barrën e sigurisë aleatëve.
Me një postim në pesë pika në platformën e tij “Truth”, presidenti amerikan deklaron se SHBA-të janë “shumë pranë” arritjes së objektivave. Njësoj si në fillim të ofensivës më 28 shkurt, vendimi komunikohet në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim dhe pa konsultim me të tjerët.
Në tekst, Trump rendit rezultatet që sipas tij janë pothuajse të arritura pas tre javësh bombardimesh. Në radhë të parë: dëmtimi i plotë i kapaciteteve të lëshimit të raketave nga Irani. Më pas, shkatërrimi i bazës industriale ushtarake, eliminimi i flotës detare dhe aviacionit, si dhe bllokimi i mundësisë për pasurim uraniumi për ndërtimin e armës bërthamore.
Ai shton edhe një tjetër element: mbrojtjen “në nivelin më të lartë” të aleatëve në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë.
Por pika më delikate vjen në fund. Trump bën të qartë se SHBA synon të çangazhohet sa më shpejt nga konflikti, duke ua lënë vendeve të tjera detyrën për të garantuar sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike nga ku kalon rreth një e pesta e naftës botërore.




















