Nga Namir Lapardhaja/
“Nuk besoj të ketë mes jush ndonjë që dëshiron të na kthehet Xhonsi, apo jo? Është për hirin tuaj që ne ta pimë atë qumësht dhe t’i hamë ato mollë. A e dini se çfarë do të ndodhte nëse ne derrat do të dështonim në detyrën tonë? Xhonsi do të kthehej! Po, Xhonsi do të kthehej!”
I
Në romanin “Ferma e kafshëve” ky fragment është mishërim i asaj se si manipulimi mund të përdoret edhe kaq në mënyrë naive për të kujtuar vazhdimihst frikën e rikthimit të pronarit të vjetër, Xhonsit.
Është kjo pyetje që sa herë kafshët fillojnë dhe dyshojnë në pushtetin e derrave, sa herë lind ndonjë pakënaqësi, sa herë shtohen vuajtjet apo edhe kur rregullat ndryshojnë në mënyrë absurde. Pra, nëse nuk i bindeni pushtetit aktual, rrezikohet rikthimi i një të keqeje më të madhe.
Kemi të bëjmë me një metaforë të qartë propagande të mprehtë politike, sepse frika është një nga instrumentet e vjetra të kontrollit njerëzor dhe kur pushteti nuk ka argumente, ai shpik rreziqe.
II
Ndonëse e njohur metafora orelliane më erdhi ndër mend teksa leoja një analizë të Deutsche Welle-s për Viktor Orbánin në Hungari, i cili e ka ndërtuar pikërisht mbi këtë strategji retorikën e tij të qëndrimit në pushtet. Në diskursin politik të qeverisë hungareze, rreziku ndryshon vazhdimisht: herë janë emigrantët, herë burokratët e Brukselit, herë elitat liberale apo organizatat ndërkombëtare, herë Soros, e tanimë së fundmi vetë Zelenski i Ukrainës.
III
Nuk e di nëse Enver Hoxha e kishte lexuar ‘Fermën e kafshëve’, por një gjë është e sigurt: ai për vite më radhë, që prej marrjes së pushtetit dhe deri në fund, këtë strategji e ushtroi në mënyrë perfekte. Jo se i duhej, por edhe diktatura kishte hipokrizinë e saj formale. Për shembull, sa herë ai do të godiste, krijonte grupe armiqësore, ose sa herë që bënte krahasimin e regjimit të tij i referohej ‘satrapit Zog’. Nuk ishte gjë tjetër veëtm se një version i shqiptarizuar i metaforës orwelliane.
E njëjta metodë manipuluese, vijoi edhe pas rënies së komunizmit, ku narrativa ndryshoi, por mekanizmi ngelet i njëjtë. Demokracia shqiptare shpesh i ka justifikuar dështimet e veta duke iu referuar së kaluarës: tranzicionit, trashëgimisë së diktaturës, apo gabimeve historike.
Mjafton të shohësh politikën e ditës sot, për të kuptuar se si e shkuara apo ‘Xhonsi’ në krye të opozitës se si shërben për të justifikuar dështimet e së tashmes.
IV
Studiuesit e komunikimit e kanë përshkruar këtë strategji si një formë të manipulimit përmes frikës. Sipas teorive të propagandës politike, frika është një nga mënyrat më efikase për të orientuar opinionin publik. Një shoqëri e frikësuar është më e prirur të pranojë pushtetin e fortë. Një shoqëri e frikësuar pyet më pak, mendon më pak, ankohet më pak, nuk ka kohë të arsyetojë, sepse është frika ajo që mbizotëron gjithçka. Është një mekanizëm i përbotshëm që justifikon politikën, dhunën, agresionin, manipulimin, korrupsionin, mbi mekanizmin e ‘Xhonsve’ të rinj, që edhe kur nuk janë, gjenden lehtësisht, madje edhe kur nuk ekzistojnë, krijohen nga hiçi.




















