Nga ROLAND QAFOKU
Kaluam momente të këndshme mbrëmë duke ndjekur premierën “Drejtësi në Nuremberg” në Teatrin Kombëtar, në ArTurbina. E shkruar nga shkrimtari dhe skenaristi amerikan me orgjinë ruso-hebreje, Abby Mann, duhet thënë se kjo shfaqje e përshtatur në shqip ishte mëse dinjitoze. Për dy orë, trupa me 18 aktorë e la tutkall publikun në sallë të mbërthyer nga dialogje, monologje dhe pamje filmike që na çuan në një kohë 81 vjet pas, por që në fakt të dukej sikur gjithcka po ndodhte këto ditë.
Duhet thënë regjisori Arben Kumbaro ka gjetur kohën e duhur dhe trupën e duhur për ta vënë në skenë dramën e duhur, por tejet të vështirë, për vetë specifikat e saj dhe në fund të korrë sukses.
Nuk është shumë e lëhtë të vësh në skenë një dramë me autor të huaj, me ngjarje që kanë ndodhur në një vend të huaj që ka tronditur mbarë njerëzimin dhe ta sjellësh dhe përshtatësh atë në ditët e sotme dhe për më tepër për publikun shqiptrar. Por, kësaj sipërmarrje profesionale tejet të vështirë deri në rrezik, Kumbaro besoj që ia doli.
Shfaqja së pari ia doli të kthehet në një element memorie se historia mund të përsëritet që çke me të. Në të proklamohet me forcë procesi i famshëm i Nurembergut për të dënuar krimet e nazizmit që solli Luftën e Dytë Botërore, vrasjen e 50 milionë njerëzve por edhe periudhën më të zezë në historinë moderne. Por kjo shfaqje solli njëkohësisht edhe disa perceptime, ndjesi dhe paralele që hiqen kaq lehtë më kohën e sotme. Në disa dialogje u përmendën frazat “rend i ri botëror”, “vrasje masive”, ”krime monstruoze”, “ekzekutime në masë të fëmijëve”, “nuk e dinim se çpo ndodhte”, “fajin e kishte vetëm Ai”, “duhen prova për krime kundër njerëzimit”, “kush ishte viktimë, populli apo vrasësit”. A nuk janë edhe sot këto fraza pjesë e fjalorit politik dhe i drejtësisë në botë?
Por besoj që për publikun shqiptar raporti i viktimës me fajtorin është ajo më e rëndësishmja. “Drejtësi në Nuremberg” është edhe një përsiatje për drejtësinë që kombi shqiptar pret në Hagë. Ka një ironi ekstreme të shprehur në shfaqjen e djeshme. Ata nazistë që ishin në sallën e gjyqit ishin pjesë të makinerisë që solli 50 milionë të vrarë në glob. Ndërsa në Hagë sot ndodhen katër ish-liderët e UÇK-së për të cilët prokuroria kërkoi 45 vjet burg për secilin sepse ata mbrojtën familjet e shqiptarëve. Jo më kot Kumbaro në disa sekuenca filmike të transmetuara në ledwall ishte kujdesur të shfaqte edhe pjesë nga genocidi serb në Kosovë në vitin 1998-1999. Një genocid që në shekullin e kaluar vlerësohet i dyti më i rëndë pas atij të nazistëve ndaj hebrenjve.
E dyta, por jo për nga rëndësia ishte loja e aktorëve. Alfred Trebicka, Myzafer Zifla, Viktor Zhusti, Lulzim Zeqja, Neritan Liçaj, Artan Imami, treguan se kur luajnë ata shfaqja është e garantuar cilësisht. Por unë do të veçoja dy aktorë që i kaluan të gjithë; I pari Donald Shehu. Pothuajse i panjohur për publikun e gjerë, në rolin e dëshmitarit ai solli një personazh aq real në të gjitha planet. Me të folurën, mimikën dhe xhestet në sallën e gjyqit, ai ishte jo vetëm një viktimë gjermane e nazizmit, por i përshtatur aq bukur në këtë shfaqje. Ai profil mund të ishte edhe në procesin e Hagës. Dhe Donaldi tregoi se mjeshtëria e aktorit mund të bëjë shumë të mirë një rol të mirë.
I dyti, Indrit Çobani në rolin e avokatit të nazistëve ndoshta ka sjellë një nga rolet më të mira të karrierës së vetë. Që nga lëvizjet e shpejta, xhestikualcionet, teknika aktoriale për të shprehur llogjikën e fortë në seancat gjyqësore edhe kur nuk kishte të drejtë, impulse e shoqëruara me mbajtje shkresash dhe tregimi i tyre trupit gjykues e deri te fuqia e fjalëve bëri që Indrit Çobani tashmë e ka futur veten në plejadën e aktorëve më të mirë që ka nxjerrë Teatri Kombëtar në histori. Duartrokitjet e shtuara kur doli ai në skenë pas mbarimit të shfaqjes e konfirmuan këtë.
Edhe aktorët e tjerë arritën të jepnin profile dhe karaktere te veçanta. Të gjithë ishin në lartësinë e duhur.
A kishte elementë për kritikë? Sigurisht që po. Nuk po i përmend sepse personalisht shumicën i lidh me pamundësitë financiare. Fjala vjen, kostumografia, make-up-i por edhe ndonjë element i skenografisë kishin vend për përmirësime. Se për kushtet e sallës dhe skenës nuk po flasim se jemi në pritje të godinës së re me pritshmërinë që atje do jemi në një teatër me 5 yje. Edhe pse këto kushte, publiku ishte zjarr dhe duatrokitjet treguan edhe një herë se ashtu si edhe në botë, libri dhe teatri janë dy shtylla të rralla të kulturës që i kanë mbijetuar revolucionit të teknologjisë së çmendur. Madje, teatri për disa ka krijuar përshtypjen se të jesh dikush në këtë fshatin tonë, duhet të shkosh edhe në teatër, pavarësisht se këtu te ArTurbina mund të jetë herë e parë në jetë që shikon një shfaqje.
Përfundimisht, “Drejtësi në Nuremberg” është nga ato shfajqet ikonike që besoj një ditë do ketë posterin e vetë në hollin e Teatrit Kombëtar. Bravo dhe urime të gjithëve, nga i pari te i fundit që bënë të mundur vënien në skenë të kësaj shfaqje!




















