Ilir Proda është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Vendimi u mor pas protestës së opozitës ku nuk u garantua siguria e qytetarëve.
Në motivacionin e shkarkimit nga detyra të kryepolicit Ilir Proda, thuhet se gjatë tubimit “u rrezikua jeta e shtetasve të huaj” që jetojnë në kryeqytet, pasi Policia nuk mori përsipër garantimin e sigurisë në kushtet e përshkallëzimit të dhunës.
Ndërkohë në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga.
Elton Alushi është shkarkuar nga posti i drejtorit të Policisë së Tiranës.
Largimi i tij është firmosur nga ministrja e Brendshme në largim Albana Koçiu.
Njësoj si me Ilir Prodën, edhe largimi i Alushit, vjen për mosgarantimin e sigurisë së qytetarëve në protestën që PD organizoi ditën e djeshme.
Kujtojmë se në Vilën 31, ish-rezidencën e diktatorit Enver Hoxha, u regjistruan tensione kur protestues hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, teksa brenda ambineteve ndodheshin shtetas të huaj, pasi godina është kthyer në një ambient pritës për artistët.




















