Nga Alba Malltezi

Italia kaloi këto ditë një provë të madhe demokracie me referendumin për modifikimet në Kushtetutë për ndarjen ose jo të karrierave në Drejtësi. Nëse do të kishte qenë një tjetër qeveri dhe një tjetër moment, ndoshta Referendumi do të kalonte me një “Po”; ndarja e karrierave në Drejtësi është një formë ekzistuese në shumicën e vendeve në Bashkimin Europian, por italianët i thanë “jo” masivisht Melonit dhe “burokratëve” të saj për shumë arsye që nuk është rasti për t’i thënë këtu.

Italia është një vend me të vërtetë demokratik, ku pushtetet e kanë krijuar shtyllën e tyre kurrizore përmes debatesh të vërteta demokratike, konstruktive dhe përmes sakrificash kolosale. Epokat e rëndësishme historike kanë kaluar përmes reflektimesh, analizash, heshtjesh, pendimesh dhe force për të ecur përpara.

Nëse përpiqemi të vazhdojmë të krahasojmë situatën në vendin tonë, me Italinë, gabohemi. Do të thotë që jo vetëm nuk njohim vendin fqinj dhe historinë e tij, por mbi të gjitha, nuk njohim vetveten.

Nëse mendojmë se ne sot jemi në epokën kur Italia ishte në kohën e “Mani Pulite” (Duar të Pastra), gabohemi sërish, por ama, të kujtojmë atë që vetë prokurorët italianë thanë pas “Mani Pulite” dhe sidomos bënë, pas asaj kohe, është një e mirë për Shqipërinë, një dritë që mund të ndihmojë, sidomos njerëzit e drejtësisë.

Francesco Saverio Borrelli ishte kryeprokurori i grupit të prokurorëve që përmbysi një epokë pas shpërthimit të tangentopoli-t. Borrelli ishte një prokuror, bir i një gjykatësi. Një njeri i drejtë, i mirë, korrekt; një vlerë e jashtëzakonshme për Italinë.

Pas përfundimit të epokës së Mani pulite, i pyetur do të shprehej tekstualisht:

“Nëse do të isha një person publik i ndonjë vendi aziatik, ku, si në Japoni për shembull, është zakon të kërkohet falje për gabimet e bëra, do t’ju kërkoja të falur: Ndjesë për fatkeqësinë që pasoi “Mani pulite”. Nuk ja vlejti që hodhëm në erë botën e mëparshme, për të rënë në këtë aktualen”.

Pas Craxit e tangentopoli-t, në Itali nisi epoka e Silvio Berlusconit.

Njerëzit e Drejtësisë në Shqipërinë tonë kanë sot një detyrë tepër fisnike: atë të përqëndrimit të jashtëzakonshëm për të parë përtej mjegullës, përtej zhurmës, përtej shpërthimeve që krijohen posaçërisht në këtë hapsirën tonë tepër të kufizuar në metrat katrorë nga zhurmuesit e mjegulluesit profesionistë dhe për këtë arsye, me pasoja të jashtëzakonshme nëse jo korrekte. Eshtë detyrim moral dhe profesional që askush, pas shumë vitesh, të mos detyrohet të kërkojë ndjesë për sa u bë, por sidomos, për sa vjen pas asaj që bëhet.