Po ikja të humbisja në një lagje të Tiranës me drita, reklama, vila, hotele, restorante, krejt si në Milano. Kur një mesoburrë me mustaqe dhe kasketë më del përpara dhe më thotë: “Mirëmbërma shoku Enver”. Dhe iku. Pashë rrotull mos kishte thirrur ndonjë shokun e vet pas shpinës sime. Frymë njeriu. Nisa të dridhem. Nuk m’u duk aq budalla; nuk më quajti kot Enver. Më quajti Enver sepse Enver jam.
Dhe si Enver që jam, më vajti mendja drejt e te pinjollët e bejlerëve, bastardët që bëhen urë për pes lekë. Gjumi s’më zë pa i plasur nëpër burgje ata dreqër. Atje të ngordhin si qen. Po bënë gëk, do t’i pushkatoj ose do t’i var në litar. Pastaj do merrem me gjyshërit e tyre që s’mund të kenë qenë më të mirë se bijtë harraqë dhe nipat gjakprishur. Të shpëtojmë një herë e mirë nga ata plehra, ato zgjyra, ato gërdalla. Do jap urdhrin e prerë t’u nxirren nga varri kufomat atyre që, kur këtu bëhej kërrdia, hanin pula të pjekura. Të digjen me vajguri në mes të shesheve me zjarr me goma të vjetra. Shkrepësen e ndez unë, Enveri i lavdishëm.
Por unë s’jam Enver vetëm për bejlerët dhe sorollopët e bejlerëve që janë bërë si mishi me thoin me komunistët. Enver jam dhe Enver do jem edhe për të tjerë. Për shembull, edhe për ata që pasi vjedhin me ekskavator, për t’i shpëtuar burgut, me paratë e vjedhura blejnë gjykatës, prokurorë, gazetarë, deputetë, ministra. Unë si Enver, në respekt të emrit të lartë që mbaj, të gjithë këta që pastrojnë paratë e pista përmes honorareve të majme që u japin njëri-tjetrit për t’u amnistuar hajdutllëkun, sidomos ata që me para të pista bëjnë propagandë, i hedh te korrësja e barit që i grin, i lidh dhe i bën dëng. Dëgjo këtu ti rrugaç hajdut që mbahesh për shtetar: me para të pista mund të ngresh grataçiela, të bësh dallavere, korrupsion, kuplara, por jo opinion publik.
Enver jam gjithashtu edhe për ca kalbësira që e mbajnë veten poetë, shkrimtarë, publicistë, studiues, shkencëtarë, akademikë, pa asnjë lidhje me Diturinë, Artin, komunikimin; u ka mbetur ora te Lidhja e Shkrimtarëve, plenumet, kongreset, fitoret. Këtyre do t’ua shqyej gojën deri te veshët.
Ata që s’shkulen nga karrigia deri në vdekje do t’i hedh në kazanin e ziftit të rrugëve që po asfaltohen.
Inat të madh kam unë Enveri me ca që Shqipëria dhe shqiptarët u dhimbsen nga larg, përtej deteve dhe oqeaneve. Këta do t’ua hedh peshkaqenëve.
Me ndonjërin që nga njëra anë ha bukën e kaurrit e nga ana tjetër i shkel syrin Syrit, e kam kollaj. E marr, e hedh te makina e mishit e bëj ushqim për derra.
Edhe me skeptikët e pandreqshëm nuk e kam problem. I fus në autobus ku gjysma e pasagjerëve janë afrikanë, filipinas, turq, kinezë, arabë. I pyes të urtët me ngjyrë: “Si ju duket Shqipëria?”. Me aq anglisht sa dinë do thonë “Not bad”. Skeptikët i marr, i hedh një nga një nga dritarja e autobusit mbi asfalt, ku pas pak u kalon sipër autobusi tjetër.
Unë Enveri, që s’kam lënë skutë të injorancës pa e njohur dhe pa e vuajtur, shumë habitem dhe inat të madh kam me analfabetët që lozin me ç-të dhe q-të. Të gjithë këta, burgu i pret. Jo më pak se secilin dhjetë vjet.
Nuk e kuptoj aspak si mundet tjetri të jetë aq budalla dhe aq pleh sa dëshminë e virgjinitetit të spiunllëkut ta kërkojë nga ca burokratë?! Si mund ta dinë më mirë të tjerët se vetë personi nëse ka qenë a s’ka qenë spiun?! Edhe pse Enver jam, kjo më lë pa mend. Këta që presin të mësojnë nga një zyrë shteti nëse kanë qenë apo jo spiunë, do i lë nën kujdestarinë e ujqve dhe arinjve të uritur të një pylli me pisha në Mokër.
Që këto dukuri të ndodhin sa më rrallë, ose kurrë, dhe populli shqiptar të vuajë sa më pak, unë magu dhe vizionari i pavdekshëm Enver, do të urdhëroj të merren masat e nevojshme. Sigurimi të ngrihet nga varri të bëjë studimet e duhura dhe të marrë evidenca të plota: sa lugë, sa pirunj, sa dhëmbë në gojë, sa morra në kokë, sa ujë në gjak, sa pleh në tru, ka secili shqiptar.




















