Aktivistja Evi Kokalari ka publikuar në rrjetet sociale disa biseda të shoqëruara me foto, duke bërë të ditur se më 19 mars 2026 avokatët e saj i kanë dërguar një kërkesë zyrtare kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nëpërmjet e-mailit. Ajo shkruan se ka kërkuar adresën zyrtare të e-mailit të Berishës edhe nga sekretari i partisë Flamur Noka dhe nga Floriana Garo, por është refuzuar.

Aktivistja ka kritikuar mënyrën e komunikimit, duke e cilësuar joprofesionale, ndërsa për Nokën ka theksuar se iu përgjigj vetëm me një “emoji”, gjë që sipas saj ngre pikëpyetje mbi seriozitetin e tij.

Letra, sipas Kokalarit, është dërguar gjithashtu edhe tek sekretari, tek vetë Berisha dhe tek Shkëlzen Berisha, përmes të cilit kalojnë kandidaturat.

Në reagimin e saj, aktivistja ka shtuar se kjo “fiasco” do të marrë fund vetëm kur Berisha të zëvendësohet nga individë me një të shkuar të pastër, të fokusuar në reformimin e opozitës dhe në largimin e kryeministrit aktual Edi Rama.

Reagimi i Evi Kokalarit:

“Sa për informacion publik, kërkesa zyrtare nga avokatët e mi i është dërguar Sali Berishës via e-mail më 19 mars 2026.

Në bazë të këshillës së avokatëve në Shqipëri, i kam kërkuar edhe Floriana Garos dhe vetë Flamur Nokës të më japin adresën e e-mailit të tij në kapacitetin e sekretarit të partisë, që t’ia dërgonim në mënyrë zyrtare.

Kjo është refuzuar nga Floriana për arsye që nuk kanë kuptim dhe në mënyrë joprofesionale (jo se prisja më tepër) nga vetë sekretari, i cili u përgjigj me një emoji, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi statusin e tij psikologjik.

Gjithsesi, letra është nisur edhe nëpërmjet mesazhit elektronik sekretarit, kryetarit Sali Berisha dhe Shkëlzen Berishës, nëpërmjet të cilit kalojnë të gjitha kandidaturat.

Sigurisht, kjo fiasco do të marrë fund kur Berisha të zëvendësohet jo nga ata me të shkuar kriminale si “Babalja”, por nga individë me një të shkuar super të pastër, dhe që fokus kanë vetëm reformimin e opozitës dhe largimin dhe zëvendësimin e Edi Ramës.”- shkruan Evi Kokalari.