Partizani është skuadra më në formë e momentit në Kategorinë Superiore dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga statistikat që tregojnë se të kuqtë kanë fituar pesë ndeshjet e fundit, madje duke dominuar kundërshtarë si Egnatia, Dinamo dhe Tirana në derbi.
Të kuqtë kanë pësuar vetëm dy gola në këto pesë ndeshje duke përmirësuar edhe një repart që kishte shfaqur luhatje më parë gjatë sezonit dhe tashmë kryeqytetasit duken vërtet të pandalshëm. Aktualisht, Partizani mban vendin e katërt në Kategorinë Superiore me 42 pikë, duke lënë pas me tre pikë diferencë Dinamon e vendit të pestë që mbetet në kuotën e 39 pikëve.
Objektivi kryesor i Partizanit pas atij starti të dobët të kampionatit ishte vendi i katërt dhe pjesëmarrja në “Final Four”, për të pasur mundësinë e për të luftuar për një vend në Kupat e Europës. Megjithatë, duke parë si po ecën kampionati i tyre, por edhe me organikën e zgjeruar dhe me kualitetin e shtuar edhe më tepër gjatë merkatos së janarit me emra si Sidibe, Qaka e Murataj, te Partizani tashmë mund të mendojnë edhe për më tepër. Kjo pasi formula e këtij sezoni të “Final Four”, ia mundëson të besuarve të trajnerit Oltijon Kërnaja të besojnë se mund të bëjnë mrekulli.




















