Në një kohë kur në arenën politike po diskutohet lidhur me zgjedhjet brenda Partisë Demokratike si dhe kandiatët që do të kandidojnë përballë Sali Berishës për postin e kreut të së djathtëve, deputeti dhe sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Flamur Noka, foli lidhur me kriteret për kandidim në strukturat drejtuese të partisë.
Mbrëmjen e së enjtes Noka theksoi se çdo person që synon të jetë pjesë e strukturave drejtuese duhet të përmbushë disa kushte bazë, ku ndër më kryesoret është të jetë anëtar i Partisë Demokratike. Në këtë kontekst, ai u shpreh se persona të caktuar që kanë shprehur ambicie për poste drejtuese, përfshirë edhe Evi Kokalarin, nuk rezultojnë anëtarë të partisë dhe për rrjedhojë nuk kualifikohen për të kandiduar.
“Në PD kanë të drejtë të aplikojnë për të qenë në strukturat drejtuese të saj të gjithë ata që plotësojnë kushtet. Një kusht i parë është që duhet të jesh anëtar i një partie. Ata që po flet ti nuk janë anëtarë. Evi Kokalari nuk është anëtare”, tha flamur Noka dje në emision.
Pas kësaj deklarate, ka ardhur një reagim nga vetë Evi Kokalari, e cila ka hedhur poshtë këto deklarata të Nokës, duke theksuar se sipas vendimit të Gjykatës, themeluesit e një partie konsiderohen automatikisht anëtarë të saj, pa pasur nevojë për regjistrim shtesë.
“Flamur Noka mbrëmë kaloi në mashtrimin e radhës, meqë shpifja për krijim partie nuk funksionoi. Tani pretendon se nuk jam anëtare dhe nuk kualifikohem. Meqë Noka ka intelektin e një gjinkalle, po ia shpjegoj qartë dhe pastër:NË BAZË TË GJYKATËS, THEMELUESIT E NJË PARTIE JANË AUTOMATIKISHT ANËTARË.
Themeluesit nuk kanë nevojë për regjistrim të veçantë. PIKË. Unë kam refuzuar teserën për arsye që i kam shpjeguar më parë. PIKË. Kjo parti nuk është e juaja. PIKË. Berisha nuk është themelues i PD-së, siç mashtroni vazhdimisht. PIKË. Ikja juaj është pa kthim. PIKË”, shkruan ajo në postimin e saj në “Facebook”.

















