Kinë – Piloti britanik George Russell me Mercedes fitoi garën Sprint të zhvilluar në pistën e Shanghait, duke konfirmuar momentin e mirë në Formula 1, pasi një javë më parë fitoi garën hapëse në Australi. Ai u shpërblye me tetë pikë.
Kryesuesi i renditjes zhvilloi një paraqitje shumë të mirë në minigarën prej 19 xhirosh, që dhuroi emocione nga fillimi deri në fund. Në gjashtë xhirot e para ai zhvilloi një duel të fortë ‘rrotë më rrotë’ me dy makinat e Ferrarit.
Në podium u ngjitën të dy pilotët e skuadrës italiane, Charles Leclerc u rendit i dyti, ndërsa shoku i tij i skuadrës Lewis Hamilton përfundoi në vendin e tretë. Pas fazës së parë të garës, Russell arriti të ruajë kreun edhe në momentin kur në pistë hyri makina e sigurisë.
Në vendin e katërt u rendit kampioni në fuqi i botës Lando Norris me McLaren, ndërsa pas tij u rendit italiani Kimi Antonelli me Mercedes. Piloti i ri mori një penalitet prej 10 sekondash për një incident në fillim, duke humbur kështu mundësinë për podium.
I gjashti u rendit Oscar Piastri me McLaren. Vetëm në vendin e nëntë e mbylli garën holandezi Max Verstappen me Red Bull, pas një starti të dobët që e la fillimisht në vendin e 14-të.
Një nga momentet më të spikatura të garës Sprint ishte sërish starti i shkëlqyer i dy makinave Ferrari, që fituan disa pozicione sapo u fikën dritat e kuqe. Megjithatë ‘Kokëkuqja’ nuk arriti të mbajë ritmin e Mercedes, pasi pas 6-7 xhirosh Russell u shkëput duke kontrolluar garën deri në fund.
Pas garës Sprint, Russell kryeson renditjen me 33 pikë, ndjekur nga shoku i tij i skuadrës, Kimi Antonelli me 22 pikë, në kuotë të njëjtë me Leclerc. Pas tyre Hamilton me 18 pikë.
Andrea Kimi Antonelli shkruan historinë
Pas garës Sprint u zhvilluan edhe kualifikueset për Çmimin e Madh të Kinës në Formula 1 që do zhvillohet nesër (e diel) në orën 08:00 me kohën shqiptare. Vendin e parë e siguroi Andrea Kimi Antonelli, 19-vjeçari italian i Mercedes. Ai bëhet kështu më i riu që ka siguruar një ‘pole position’ në historinë e Formula 1. Shoku i tij i skuadrës dhe fituesi i garës së parë të sezonit dhe Sprintit të sotëm, Russell u rendit pas tij. Më pas dy makinat Ferrari.




















