Katër gola, penallti, dyluftime në çdo centimetër të fushës, tifozeri e zjarrtë dhe në fund Barrikada në finale.
Ishte kjo panorama e duelit të djeshëm mes Barrikadës dhe Three Lions, e vlefshme për gjysmëfinalen e Kupës.
Nga mënyra si u interpretua dhe për vetë rrjedhën që mori ndeshja, gjysëmfinalja rezultoi një test i vështirë për ekipin e Bibës por që në fund ja doli me sukses.
Si rrallëherë pas 9 minutave lojë ekipi i Barrikadës gjendet në disavantazh.
Mbështetja e tifozerisë që nuk mungoi për asnjë moment nuk merr të njëjtën përgjigje nga ekipi i hedhur në fushë.
Është futbollisti Taku që pasi fiton duelin me Nelin, i vetëm përballë portierit Blloshmi godet me të djathtën dhe kalon Three Lions në avantazh.
Mirëpo ky avantazh nuk do të zgjasë shumë pasi 3 minuta më vonë Gjoka vendos barazpeshën.
Goli kësaj here vjen pas një skeme nga goditja e këndit që gjen pa përgatitur mbrojtjen kundërshtare.
Bakaj nga këndi gjen të zbuluar Bejzaden i cili në kufijtë e zonës së rreptësisë godet drejt portës, topi përplaset fillimisht në këmbët e mbrojtësit kundërshtar dhe më pas Gjoka nuk fal. 1 – 1, tifozët shpërthejnë në festë me flakadanë.
Golat e shpejtë krijuan iluzionin se ekipet do tregohen më të kujdesshne në fazën difensive dhe inkursionet drejt portës mirëpo nuk rezulton kështu. Deri në këtë fazë të lojës asnje nga ekipet nuk pajtohet me rezultatin.
Tentativat e Bakajt, Bejzades e Berberit që përpiqen të organizojnë lojën në mesfushë për të nxjerrë ekipin para marrin kundërpërgjigje në minutën e 18.
Topi i harkuar në zonë nga goditja e dënimit shkon në këmbët e Beqirajt i cili gjen rrugën e rrjetës dhe i jep sërish avantazhin Three Lions.
Ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2 – 1.
Për Bibën gjërat vështirësohen pasi i duhet të bëjë pa Mehmetllarin i cili mbyll takimin pas një tërheqje muskulare.
Megjithatë pjesa e dytë prodhon një tjetër panoramë. Barrikada tenton që në minutat e para barazimin por për Sallufin faza ofensive duket është terren i huaj pasi shpërdoron dy raste të pastra për gol.
Përpjekjet e Barrikadës për barazimin e shifrave të takimit do konkretizohen në minutën e 45′. Një top i vënë në lojë nga Blloshmi gjen përballë portierit kundërshtar futbollistin Gjoka i cili merr një goditje nga gardiani i Three Lions dhe plaset në tokë. Për arbitrin është penallti. Nga pika e bardhë godet Bejzade dhe 2 – 2.
Nga ky fraksion ekipet tregohen të kujdesshme dhe e çojnë lojën drejt penalltive.
Ky është momenti i Blloshmit. Veç ekzekutimit perfekt të lojtarëve të Barrikadës nga pika e penalltisë në skenë del Blloshmi që pret penalltinë e cila çon ekipin në FINALE.




















