Lewis Hamilton duket se po afrohet gjithnjë e më shumë me Kim Kardashian. Piloti i Formula 1 është parë së fundmi në shoqërinë e Saint West, djalit 10-vjeçar të Kim dhe Kanye West, gjatë një daljeje në Tokio.

Në një video që po qarkullon në rrjet, Hamilton dhe Saint shfaqen në dyqanin e njohur SNKRDUNK, i specializuar në atlete, veshje streetwear dhe karta të rralla Pokémon. Kim Kardashian nuk duket në pamje, duke lënë të paqartë nëse ishte e pranishme gjatë kësaj vizite.

Megjithatë, një ditë më herët, Hamilton dhe Kim janë fotografuar duke shëtitur së bashku në rrugët e Tokios, të shoqëruar edhe nga Khloé Kardashian dhe disa miq.

Këto dalje publike vijnë në një periudhë kur marrëdhënia mes tyre ka marrë vëmendje të madhe. Zërat për një romancë nisën që në shkurt, kur u panë bashkë gjatë një udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Më vonë, dyshja e bëri publike lidhjen gjatë Super Bowl 2026, ku u shfaqën së bashku në një zonë VIP. Edhe pse lidhja është konfirmuar së fundmi, Hamilton dhe Kardashian njihen prej kohësh dhe kanë pasur një miqësi të hershme.