Shqipëria luan finalen e parë për në Botërorin 2026, ku në Varshavë do të ndeshet me Poloninë.
Pas arritjes në kryeqytetin polak, trajneri i Kombëtares kuqezi, Sylvinho, ka folur në një konferencë për mediat, ku tregon se çfarë pret nga ky takim.
“Polonia nuk është një skuadër që dominon në mbajtjen e topit, por në tranzicion është një skuadër shumë e fortë. Ndaj Holandës kanë pasur ndeshje të mira. Janë një skuadër që janë mësuar të luajnë në Euriopian dhe Botëror. Në tranzicion mund të të shënojnë gola lehtësisht. Edhe trajneri i tyre, Jan Urban, ka krijuar një skuadër të mirë. Me Muçin dhe Mehmeitn kemi pasur kontaktin e parë të hënën. E kam të vështirë për zgjedhjen. Mehmetin e kemi sjellë në skuadër kohë më parë, edhe Muçi ka qenë. Ne duhet t’i përshtatemi situatës, por e dimë që po t’i hedhim në fushë, do të ndihmojnë ekipin.
Unë mendoj se jemi përmirësuar shumë në këto tre vite. Flas për ciklin tim, nuk referohem te trajnerët e mëparshëm. Sa i përket ndeshjes së nesërme, sigurisht që kemi pasur eksperiencën e parë në Europianin 2016 dhe më pas e dyta në Europianin 2024. Por mendoj se po, do jetë një nga më të rëndësishme.
A do fle sonte? Kam dy muaj që nuk fle gjumë”, tha Sylvinho.




















