Gazetari i Sportit, Andi Metaliu, në një intervistë për “Ora News” analizoi ndeshjet e fundit të kombëtareve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke sjellë një panoramë të qartë të dy rezultateve diametralisht të kundërta: zhgënjimit të thellë për kuqezinjtë dhe gëzimit euforik për Dardanët.
Sipas tij, humbja e Shqipërisë ndaj Polonisë ishte një zhgënjim që do të dojë kohë të kapërdihet, pasi skuadra ishte shumë pranë një rezultati pozitiv, por në një farë mënyre “ia dhuroi vetë fitoren kundërshtarit”.
Në analizën e tij, Metaliu thekson se Shqipëria pati të paktën dy raste shënimi shumë të pastra, të cilat, po të ishin konkretizuar, do ta kishin mbyllur ndeshjen shumë më herët në favorin e saj. Pikërisht këto mundësi të shpërdoruara i dhanë moral skuadrës polake për të kërkuar përmbysjen, të cilën edhe e arritën.
Duke u ndalur te gabimet specifike, gazetari vuri në dukje se goli i parë i pësuar nga Lewandowski erdhi si pasojë e një sërë pasaktësish në mbrojtje.
Sipas tij, si Elseid Hysaj, ashtu edhe Thomas Strakosha, duhet të kishin vepruar më mirë.
“Në një farë mënyre Hysaj tentoi t’i lejonte hapësirën Strakoshës për ndërhyrje dhe thjesht mbrojti krahun pa hyrë në dyluftim me Lewandowskin, por Strakosha nuk e përllogariti mirë trajektoren”, shpjegon Metaliaj, duke e cilësuar golin si një lloj “dhurate nga ana e mbrojtjes”.
Edhe goli i dytë, i shënuar nga Zielinski, erdhi nga një moment pasigurie dhe keq pozicionimi në mbulimin e zonës përpara mbrojtjes, ku sipas analizës, duhej të ishte pozicionuar Kristjan Asllani.
Kjo hapësirë i dha mundësinë mesfushorit polak të godiste saktë nga distanca. Në fund të fundit, futbolli është një lojë gabimesh dhe Polonia i shfrytëzoi ato, ndryshe nga Shqipëria.
Në krahun tjetër, fitorja spektakolare e Kosovës ka sjellë një valë entuziazmi. Metaliaj e përshkruan si një rezultat që “na ka kënaqur shumë dhe na mban të angazhuar emocionalisht në këto play-off-e të Botërorit”.
Kështu, mbrëmja la pas një përzierje emocionesh: zhgënjim për kombëtaren shqiptare dhe lumturi të madhe për atë të Kosovës, e cila dhuroi një paraqitje mbresëlënëse.




















