Para se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj, ish-deputeti socialist Petro Koçi shkroi se Sali Berisha “nuk ka hallin e imunitetit të Belindës e as luftën ndaj korrupsionit. Ka vetëm një peng; 21 Janarin! Kërkon ta shlyejë!”
Në një postim në Facebook, Koçi thotë se kryedemokrati “kërkon të paktën 1 viktimë tjetër për të cilën të ketë mundësi të akuzohet policia e sotme e shtetit, që e përkthyer prej tij do të konsiderohej vrasje e urdhëruar nga Rama.”
Sa i përket imunitetit të Ballukut, ish-deputeti socialist thotë se “kërkesat e drejtësisë duhen konsideruar duke llogaritur në radhë të parë interesat e vendit e të integrimit europian e jo ato personale apo ato të egoizmit politik.”
Postimi i plotë:
Berisha nuk ka hallin e imunitetit të Belindës e as luftën ndaj korrupsionit.
Ka vetëm një peng; 21 Janarin! Kërkon ta shlyejë!
Po si do thoni ju?
Kërkon të paktën 1 viktimë tjetër për të cilën të ketë mundësi të akuzohet policia e sotme e shtetit, që e përkthyer prej tij do të konsiderohej vrasje e urdhëruar nga Rama.
Prandaj duhen marrë masa dhe ndërmarrë veprime e vendime rreptësisht ligjore për të shmangur projektet shpirtzeza të këtij përbindëshi që Shqipërisë ia bëri dhuratë Partia e Punës.
Nga ana tjetër kërkesat e drejtësisë duhen konsideruar duke llogaritur në radhë të parë interesat e vendit e të integrimit europian e jo ato personale apo ato të egoizmit politik.
Qëndrimet tej standardeve të deklaruara e të zbatuara deri më sot do të ushqenin nga ana tjetër alibinë e përbindëshit politik dhe do të rrisnin përkrahjen për politikën destabilizuese të tij.




















