Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka dërguar sot në Gjykatë kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara ndaj dy shtetasve, të identifikuar me inicialet Josel Mici dhe Mendim Domi, në kuadër të një hetimi pasuror.Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa për konfiskim lidhet me pasuritë e sekuestruara.
Hetimi pasuror është zhvilluar në kuadër të procedimit ndaj Josel Micit dhe Mendim Domit, të cilët janë gjithashtu në gjykim për procedimin penal nr. 166 të vitit 2021.
Nga verifikimet e kryera, këto pasuri rezultojnë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Pasuritë për të cilat kërkohet konfiskimi përfshijnë:
Apartamente dhe njësi banimi në Tiranë;
Njësi shërbimi me sipërfaqe të konsiderueshme në zonën e Bulevardit të Ri;
Vila në Gjirin e Lalzit dhe në komplekse turistike rezidenciale;
Sipërfaqe toke (arë) në zonat Mazrek, Kashar dhe Sauk;
Garazhe në Njësinë Administrative nr. 9, Tiranë;
Automjete të markave BMW dhe Audi;
Kuota pjesëmarrjeje në shoqërinë tregtare “SUPER FOODS” sh.p.k.;
Llogari bankare në Union Bank, me balanca në euro dhe lekë.
Sipas SPAK, vlera totale e pasurive për të cilat është kërkuar konfiskimi arrin në 1,976,870 euro dhe 9,330,062 lekë.
Dy shtetasit po gjykohen për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.




















